Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj, në Politiko tha se partia e tij ka qenë e angazhuar për 53 ditë me qëllim sigurimin e stabilitetit institucional dhe zgjedhjen e një presidenti që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.
Zemaj theksoi se LDK-ja ka punuar për një zgjidhje që do të mundësonte daljen nga kriza institucionale dhe krijimin e një figure unifikuese në postin e presidentit.
Duke komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëqeverisje, Zemaj tha se kjo ofertë duhet të kuptohet qartë edhe nga qytetarët. Sipas tij, mënyra se si LDK e interpreton këtë ofertë nënkupton marrjen e posteve dhe “mbylljen e gojës” ndaj, siç u shpreh ai, çështjeve që lidhen me kapjen e shtetit.
“Ta kuptojnë edhe qytetarët e Kosovës se si e përkthen LDK-ja këtë ofertën e Kurtit: kjo i bie që merrini këto pozita dhe mbylleni gojën para kapjes së shtetit”, tha Zemaj në Politiko.






