Komentatorja politike Shqipe Pantina, ka thënë se rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të ishte i dobishëm për partinë, duke theksuar se përvoja e saj mund të kontribuojë në forcimin e subjektit politik.
Pantina u shpreh se kjo çështje nuk është diskutuar në strukturat e partisë apo në Këshillin e Përgjithshëm ku ajo bën pjesë, por shtoi se në plan personal do të ishte pro hapjes së dyerve për Vjosa Osmanin dhe figura të tjera që mund të rikthehen në LDK.
Ajo rikujtoi se largimi i Osmanit nga LDK-ja kishte sjellë pasoja elektorale për partinë, por theksoi se përgjegjësia për ndarjen nuk ka qenë e njëanshme.
“Ka qenë një periudhë kur ajo ka dalë nga LDK-ja dhe kjo ka dëmtuar partinë në vota. Por nëse analizohet më thellë, ndarja ka qenë e dyanshme. Nëse mund të thuhet se ka gabuar Vjosa Osmani, edhe LDK-ja ka gabuar që e ka lënë të largohet, pasi ka pasur hapësirë të mjaftueshme për dialog dhe për të adresuar dallimet,” tha Pantina në Gazeta në Kanal10.
Sipas saj, një reflektim i tillë mund të shërbejë si bazë për afrime të mundshme në të ardhmen brenda spektrit politik.






