Albin, rininë time s’mund t’ia faturoni të kaluarës

- Advertisement -

Po bëhen tashmë gati 7 vjet prej kur Albin Kurti, lideri rebel i Lëvizjes Vetëvendosje, u ul për herë të parë në karrigen e Kryeministrit të Kosovës. Rreth popullit tim, si adoleshent 16-vjeçar, atëherë vëreja një lloj entuziazmi gjithëpopullor për përmirësim.

Po për sa vjet tashmë, unë u rrita duke dëgjuar pushtetin në Kosovë tek faturon thuajse çdo dështim drejt qeverive të kaluara – peshën politike e shoqërore të të cilave nuk e përjetova kurrë.

Ndoshta vëllai im, që është gjeneratë tjetër e kësaj shoqërie, u rrit në një Kosovë për të cilën Vetëvendosja thotë se u hijezua nga punësime partiake, pushtetarë pasanikë, fëmijë të llastuar e hajni të shumta. Unë nuk e di këtë kohë. S’kam qenë i pjekur mjaftueshëm për ta vlerësuar.

Por, e di se unë u rrita në një Kosovë që e ka këtë përshkrim, veç se fëmijët e llastuar, qeveritarët e korruptuar e familjarët e punësuar janë të vetë Vetëvendosjes.

Prej kur mua m’u hapën dyert e jetës për në botën profesionale, Hashim Thaçi nuk ka punësuar askënd në pozitat e shtetit. Albin Kurti po.

Sot Ene Aliu, djali i ish-ministrit Liburn Aliu, me të cilin ndamë karriget në universitet, punon afër ministrit Glauk Konjufca. Unë jo.

Ai këtë punë sot e bën pasi përfundoi angazhimin në Presidencë. Unë jo.

Rrugëve të Prishtinës, Eneu i Liburnit bën xhiro me veturë të re 2025. Unë duhet të navigoj në aplikacionin Trafiku Urban për të parë autobusin e radhës.

Glauk Aliu, djali tjetër i këtij ish-ministri, përfundoi studimet në Pragë. Unë dhe as bashkëmoshatarët e mi jo. Unë mezi mora bursë studimesh për Universitetin Amerikan e të tjerë të rinj ulen në amfiteatrot antike të Universitetit të Prishtinës.

Ledioni, i biri i ministrit Xhelal Sveçla, jeton në Zvicër. Po ai s’ka ikur prej Kosovës nga skamja, siç kanë bërë qindra mijëra të tjerë, po për të marrë diplomën që s’do ta marri në Prishtinë.

Unë u desh të ulesha në bankat e sistemit arsimor që na nxjerr në fund-pus të PISA-s.

Nipi i Agim Bahtirit, Buron Ademi, s’e vret mendjen se ku do të marrë rrogë. Daja ia ka siguruar vendin në Ministrinë e Bujqësisë tashmë. Ai është fqinji im – studionte për muzikë. Të diplomuarve të tjerë, që s’qëlluan nipa të bahtirëve, u duhet të shërbejnë espresso, lajnë makina a vozisin taksi.

Ca prej këtyre fëmijëve të llastuar, çakej të pangopur do të thoja, sa nuk deshën të më shqyenin në parkun e Prishtinës veç pse kisha shkruar diçka kundër tyre. Kështu bënin, se mes tyre, i biri i Xhelalit i siguronte se s’do të kenë problem me policinë.

Studentë e studente që s’kanë lidhje politike duhet të përvishen në punë që të mbijetojnë studimet. Kolegu im në universitet, Glauk Haxhiaj, jo. Ai jeton i qetë dhe i sigurt nga grante prej ministrive të ndryshme sepse është djali i Blerim Haxhiajt, gazetari që i bënte pyetje ledhatuese Kurtit.

Kjo pra kjo, kjo është bota në të cilën po rritemi unë dhe të tjerët e gjeneratës sime.

Unë nuk e di çfarë Kosove ka trashëguar Albin Kurti. Unë e njoh Kosovën që përjetova dhe po e përjetoj nën të.

Gjenerata para meje edhe mund ta urrejë kastën politike para këtij njeriu. Ata edhe mund të votojnë për të sepse kundër tyre. Po unë jo. S’mund të ‘hakmerrem’ mbi kujtimet e dikujt. Ama mund të gjykoj pushtetin që e pashë duke u rritur. Vendimet që mori. Ndarjen që na e solli në shoqëri: ata pranë dhe larg tyre. Fëmijët e llastuar të tyre që rriten jashtë rezultateve të qeverisjes. Dhe, ne, që vuajmë nën ta duke parë sefanë e tyre.

Ky shkrim nuk është për t’u viktimizuar se pse ata kanë privilegje dhe unë jo. Kjo assesi. Për faktin e vetëm sepse unë jam rritur me parimin që gjërat në jetë duhet të arrihen vetë dhe ndershëm, pa lidhje të shkurtër. Kjo është busulla ime jetësore.

Madje, ky shkrim është mbi të gjitha për ata bashkëmoshatarë të mi, me të cilët ndava një pjesë të konsiderueshme të jetës në bankat e shkollës. Ata kishin ambicie dhe vizatonin fatin e vet si njerëz të arrirë në vendin e tyre. Tani, pjesa dërrmuese prej tyre janë jashtë vendit, duke punuar si punëtor krahu nëpër vende të Bashkimit Evropian.

Prandaj, mund ta them me gojën plotë se unë dhe gjenerata ime s’mundemi, pra, t’i faturojmë të kaluarës padrejtësitë dhe hallet e së sotshmes. Ato duhet faturuar atyre që i shkaktuan.

Të ngjashme

Të fundit