Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjasë dy orë – Gjykata Speciale jep detajet

- Advertisement -

Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në çështjen gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, do të shpallet më 16 shtator dhe seanca pritet të zgjasë dy orë.

Sipas njoftimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, seanca për shpalljen e aktgjykimit do të nisë në orën 10:00 dhe është paraparë të përfundojë në orën 12:00.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur gjithashtu se gazetarët që dëshirojnë ta ndjekin seancën nga galeria e publikut apo nga qendra e mediave duhet të regjistrohen paraprakisht.

Aktgjykimi shënon përfundimin e procesit gjyqësor në shkallë të parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen për akuza që lidhen me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Prokuroria e Specializuar i ka akuzuar Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për një varg veprash penale, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë. Ish-krerët e UÇK’së i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ka nisur në prill të vitit 2023 dhe gjatë tij janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë administruar prova nga Prokuroria dhe ekipet e mbrojtjes.

Të ngjashme

Të fundit