Walker: Procesi në Hagë është më shumë politik sesa drejtësi

- Advertisement -

Ish-ambasadori, William Walker, ka kritikuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si një proces më shumë politik sesa të drejtësisë. Në një intervistë për RTK, Walker ka thënë se është plotësisht i bindur se ajo që ka ndodhur gjatë gati gjashtë viteve në Hagë ka qenë, sipas tij, “një përqeshje e kërkimit të drejtësisë”.

Walker ka kritikuar edhe raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, duke thënë se ka dyshime serioze për saktësinë e tij.

“Vazhdoj të besoj që ky ka qenë keqtrajtim ose keqpërdorim i drejtësisë që nga fillimi”, ka deklaruar Walker.

Sipas tij, krijimi i këtij procesi ka qenë i ndikuar nga një qasje politike e institucioneve ndërkombëtare për të krijuar një lloj ekuivalentimi mes krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit dhe veprimeve të pjesëtarëve të UÇK-së.

Walker ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për një zinxhir të centralizuar komandues të UÇK-së, duke thënë se komandantët e zonave kishin një shkallë të konsiderueshme autonomie.

“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore e natyrshme. Ka pasur lidhje shumë të lirshme midis komandantëve të zonave”, ka thënë ai.

Duke folur për përvojën e tij gjatë luftës, Walker ka treguar se kishte vizituar kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe Shqipëri dhe kishte dëgjuar dëshmi nga familje të prekura nga vrasjet, dhuna dhe shkatërrimi gjatë luftës.

Ai ka thënë se nuk është befasuar që pas përfundimit të luftës ka pasur raste hakmarrjeje, por ka kundërshtuar që këto veprime të lidhen drejtpërdrejt me një urdhër nga udhëheqësia e UÇK-së.

Walker ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e procesit dhe paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së. “Pesë vjet me radhë për të vërtetuar një akuzë të tillë thjesht nuk arrij ta kuptoj se çfarë ka marrë kaq shumë kohë”, është shprehur ai.

Ish-ambasadori amerikan ka thënë se është “gati 100 për qind” i bindur se pas këtij procesi ka pasur një vendim politik.

“E gjithë këtë unë thjesht e shoh si proces shumë më politik se sa i drejtësisë. E këtë e kam gjykuar që prej fillimit”, ka deklaruar Walker.

Ai ka shtuar se, sipas tij, nuk mund të ketë barazim mes palëve në luftën e Kosovës, duke theksuar se pjesa dërrmuese e dhunës ishte ndërmarrë nga pushteti i Beogradit.

Walker ka folur edhe për pritjet e tij lidhur me vendimin që pritet të merret më 16 shtator, duke shprehur bindjen se drejtësia duhet të triumfojë.

Të ngjashme

Të fundit