Bajraktari: Prokuroria shumë prova i mori nga regjimi gjenocidial i Serbisë

- Advertisement -

Avokati Ardian Bajraktari tha se Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Hagë ka siguruar një pjesë të konsiderueshme të provave nga regjimi gjenocidal serb, duke ngritur dyshime për besueshmërinë dhe manipulimin e tyre.

Bajraktari në Rubikon të Klan Kosova, tha se mbrojtja ka paraqitur më pak dëshmitarë, por me dëshmi relevante dhe të mbështetura edhe me dokumente, ndërsa Prokuroria, sipas tij, nuk ka arritur të argumentojë ekzistimin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“Megjithatë, gjatë gjithë ecurisë së procesit, ajo çka është e rëndësishme, vlerësoj që prokuroria nuk ka arritur me argumentuar elementin esencial të aktakuzës, përkatësisht ekzistimin e të ashtuquajturës ndërmarrje të përbashkët kriminale si formë e përgjegjësisë komanduese, si formë specifike e përgjegjësisë komanduese, e ku dallimin ose diferencën në raport me format e tjera të përgjegjësisë e bën pikërisht qëllimin në vetvete në kryerjen e aktiviteteve, çka në bindjen time nuk ka arritur me u argumentu, por po ashtu edhe çështja e efektivitetit përkatësisht, sa ata, në këtë rast katërshja e UÇK-së, kanë qenë efektivë dhe efikasë në drejtim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në raport me vartësit sepse siç dihet veprime, gabime, qoftë edhe krime nga individët, mund të kryhen edhe në rrethana lufte, edhe në rrethana paqe”, deklaroi avokati.

Ai përmendi edhe faktin se gjatë luftës, lëvizja nga një vend në vendin tjetër ka qenë shumë e kufizuar, çka sipas tij, e ka bërë të pamundur ndërmarrjen e veprimeve parandaluese nga individë të ndryshëm.

“Mirëpo fakti që eventualisht mund të jenë kryer këto krime ka qenë e pamundur që këta të jenë proaktivë në drejtim të parandalimit të tërheqjes së vërejtjes së gjitha këtyre për faktin se në kontekstin në të cilin ka funksionuar UÇK-ja në atë kohë, mundësia, probabiliteti për me ndërmarrë veprime të tilla ka qenë jashtëzakonisht i kufizuar sepse në jo pak raste ka qenë vështirë të lëvizet nga një fshat në një fshat tjetër, nga një qytet ose nga një zonë në zonën tjetër, e që janë elemente esenciale që e përbëjnë këtë strukturë për çka në fakt akuzohen katërshja e UÇK-së”, u shpreh më tej Ardian Bajraktari.

Sipas tij, mbi këto premisa, trupi gjykues i ka dy kategori provash, “një pjesë të pakët në numër por që shumë relevante për procesin, dhe një pjesë tjetër të cilët, një pjesë jo e vogël e tyre, mbase edhe janë marrë në duke qenë të manipuluara”.

Bajraktari përmendi edhe raste kur dëshmitarë kanë pranuar se kanë ekzagjeruar apo kanë dhënë deklarata që nuk përputheshin me ato të lexuara në sallën e gjyqit.

Rrjedhimisht, ai tha se ka dyshime serioze për manipulim të provave.

Ai tha se këto elemente, bashkë me faktin se një pjesë e madhe e dokumenteve kanë ardhur nga Serbia, duhet të merren parasysh nga trupi gjykues.

“Prokuroria, siç dihet, një pjesë bukur të madhe të provave i ka siguruar nga regjimi gjenocidal serb, të cilat apriori do të duhej shpallur të papranueshme, mirëpo ato janë shpallur të pranueshme, por varet nga relevanca dhe sa në fakt si do t’i qaset trupi gjykues vlerësimit të provave për të ardhur deri te një verdikt”, u shpreh avokati Bajraktari.

Të ngjashme

Të fundit