Aksion i madh kundër trafikimit në Kosovë, kontrollohen 121 lokale, mbyllen 19 dhe arrestohen 15 persona

- Advertisement -
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka realizuar nga 8 deri më 12 qershor 2026 planin operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, i koordinuar me organizata ndërkombëtare si EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex.

 

Gjatë këtij operacioni janë zhvilluar kontrolle në lokale të muzikës live, qendra masazhi, si dhe janë ndërmarrë veprime për identifikimin e rasteve të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas Policisë, janë kontrolluar gjithsej 59 lokale të muzikës live në tërë territorin e Kosovës, ku janë hasur 420 persona, prej tyre 317 femra dhe 109 meshkuj. Nga ta, 186 kanë qenë shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj.

Gjatë kontrolleve, 9 lokale të muzikës live janë mbyllur për shkelje administrative, ndërsa 6 të tjera janë gjetur të mbyllura.

Po ashtu, janë inspektuar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, prej tyre 89 femra dhe 15 meshkuj. Për shkak të shkeljeve administrative, janë mbyllur 10 qendra masazhi.

Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikimi me njerëz”.

Megjithatë, gjatë aktiviteteve operative janë evidentuar 7 raste ku persona janë hasur duke kërkuar lëmoshë me fëmijët e tyre në rrugë dhe sheshe. Për këto raste janë arrestuar 7 femra, ndërsa në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale janë iniciuar raste për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës” ndaj 13 fëmijëve.

Gjithashtu, gjatë planit operativ janë evidentuar edhe 4 raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion – Eskorta”, ku janë arrestuar gjithsej 8 persona, prej tyre katër meshkuj kosovarë dhe katër femra shtetase të huaja.

Në realizimin e operacionit kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera policore, përfshirë Departamentin e Kufirit, Njësinë Speciale, njësitë rajonale dhe zyrtarë nga drejtoritë rajonale të policisë, si dhe inspektorë nga institucionet përkatëse.

Policia ka njoftuar se të gjitha personave të punësuar në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe eskortat u është dhënë mundësia të deklarohen nëse janë viktima të ndonjë forme shfrytëzimi, por nuk është identifikuar ndonjë rast i tillë./Arbresh.info

Të ngjashme

Të fundit