Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit.
Sipas ministrisë, pesë vatrat ende aktive janë vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e tyre përfundimtare.
Në njoftimin e bërë në rrjetin social facebook, nënvizohet se operacionet në zona si Kavaja, Fieri, Lezha, Elbasani dhe Divjaka janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, mjete tokësore dhe ajrore, si dhe efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera emergjente.
“Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe vatra të tjera u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 30 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, si dhe forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.”, thuhet në njoftim.






