Zgjedhjet nxorën numra për qeverisje, por jo domosdo zgjidhje

- Advertisement -

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë kanë krijuar një paradoks të njohur: numrat sugjerojnë mundësi për formimin e institucioneve, por realiteti politik paralajmëron një tjetër ngërç të mundshëm.

Ndërsa në letër ekzistojnë kombinime të mjaftueshme për një shumicë qeverisëse, në praktikë, polarizimi i thellë ndërmjet partive e vë në pikëpyetje funksionalitetin e saj, thonë njohësit e rrethanave politike.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 42.91% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Numrat janë, vullneti mungon

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, vlerëson se këto rezultate, në rrethana normale politike, do të krijonin një bazë pothuajse ideale për qeverisje.

“Në një sistem ku kompromisi politik funksionon normalisht, kjo do të ishte një formulë ideale: një fitues i qartë, por jo dominues, që kërkon bashkëpunim më të gjerë politik. Megjithatë, Kosova nuk ndodhet në rrethana normale. Pas dy vjetësh krizë institucionale dhe polarizimi të thellë, këto rezultate rrezikojnë të prodhojnë sërish ngërç”, vlerëson Emini për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë është edhe politologu Dritëro Arifi. Ai thekson se problemi nuk është aritmetik, por politik.

“Nuk është problemi se nuk ka numra. Problemi është vullneti politik. Nëse ka gatishmëri për të lëvizur përpara, zgjidhja mund të gjendet”, thotë ai.

Sipas tij, shumëçka do të varet nga qëndrimi i LVV-së nëse është e gatshme të hyjë në koalicione.

Pas shpalljes së rezultateve, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, paralajmëroi se do të komunikojë me të gjitha subjektet politike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në funksion të “interesit publik dhe vullnetit të përgjithshëm”.

“Pra, llogarisni te ne, jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha Kurti para mbështetësve të tij.

Nyja e presidentit dhe opsionet e vështira

Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ato ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë – pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën e pavarur – nuk siguruan marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Vetë Osmani, e cila ishte kandidate e LDK-së për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit, tha se LVV-ja nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.

“Ka mijëra arsye për të thënë ‘po’, dhe të gjitha janë në interes të shtetit”, deklaroi ajo.

Në këtë kontekst, çështja e presidentit mbetet një nga pengesat kryesore për çdo marrëveshje politike.

Sipas Eminit, nga perspektiva e stabilitetit institucional, koalicioni më i fortë do të ishte ai ndërmjet LVV-së dhe njërës prej dy partive kryesore opozitare – PDK-së ose LDK-së.

“Në aspektin numerik, një koalicion me PDK-në do të ishte më i fuqishmi, por politikisht jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të nivelit të lartë të polarizimit. Një opsion më natyral mbetet bashkëpunimi me LDK-në. Vetë Kurti, në të kaluarën, e ka lënë të hapur mundësinë e një partneriteti të tillë”, thotë Emini, por thekson se nyja kryesore e këtij bashkëpunimi mbetet zgjedhja e presidentit.

LDK-ja e sheh këtë post si të rezervuar për Osmanin, porse LVV-ja nuk ka dëshmuar gatishmëri për ta mbështetur atë, pasi ajo ka përfunduar mandatin e parë në prill.

Arifi, po ashtu, e sheh me skepticizëm një koalicion LVV-PDK, por nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet partive shqiptare, ku do të përfshiheshin kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti.

“Logjikisht do të shkohet drejt asaj se kush do ta ketë kryeministrin. Ndërsa, çështja e presidentit do të shfrytëzohet si justifikim, për të arrritur realisht te posti i kryeministrit. Si do të bëhet kjo? Do të jetë shumë e vështirë”, thotë ai.

Mes kompromisit dhe krizës së re

Në këtë situatë, sipas analistëve, Kosova ndodhet përballë dy skenarëve: një marrëveshje politike që siguron stabilitet institucional, ose një cikël i ri bllokadash që mund të çojë në zgjedhje të reja.

Emini e konsideron kompromisin si rrugën më racionale, pasi ai do të garantonte jo vetëm formimin e qeverisë, por edhe zgjedhjen e presidentit dhe stabilitetin afatgjatë.

Megjithatë, paralajmëron se praktikat e deritanishme politike lënë hapësirë për një tjetër krizë.

“Nëse mbizotëron logjika e bllokadës, nuk mund të përjashtohet një cikël i ri zgjedhjesh. Edhe pse i kushtueshëm politikisht dhe financiarisht, ky mbetet një skenar real”, thotë ajo.

Edhe sipas Arifit, një zgjidhje e qëndrueshme kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“… përndryshe, vendi rrezikon të mbetet pa institucione dhe të hyjë në një periudhë të gjatë paqartësie”, thekson ai.

Pasojat përtej politikës së brendshme

Dështimi për të arritur një marrëveshje nuk do të prodhonte vetëm krizë të brendshme, por edhe pasoja në planin ndërkombëtar.

Sipas Eminit, një situatë e tillë do ta dëmtonte pozitën strategjike të Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët kryesorë.

“Kosova rrezikon të perceptohet si çështje dytësore në rajon, përveç rasteve kur lidhet me kriza sigurie. Njëkohësisht, do të dërgonte sinjal negativ për kapacitetin e brendshëm shtetëror dhe do të dëmtonte proceset integruese me BE-në”, vlerëson ajo.

Arifi shton se mungesa e institucioneve funksionale do të sillte stagnim në politikën e jashtme.

“As SHBA-ja dhe as BE-ja nuk bashkëpunojnë me një vend pa stabilitet institucional. Aktualisht, për fat të keq, jemi në vendnumërim dhe kjo është humbje për shtetin dhe jo për ndonjë individ të caktuar politik”, përfundon ai. /REL

Të ngjashme

Të fundit