Fabio Capello ka pranuar se do të bëjë tifo për Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti në Botërorin 2026, por ka zbuluar se ende nuk e ka harruar golin e mohuar të Frank Lampardit në Botërorin e vitit 2010.
Me Italinë që ka mbetur jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, Capello u pyet nga “Gazzetta dello Sport” se cilën skuadër do të mbështesë këtë verë dhe cilët janë favoritët për trofeun.
“Do të bëj tifo për Brazilin e Carlo Ancelottit. Ai është një personazh i jashtëzakonshëm, përshtatet shpejt në çdo ambient dhe në Brazil kjo nuk është aspak e lehtë,” tha Capello.
Sipas tij, favoritët kryesorë për të fituar turneun janë Francë dhe Spanja.
“Mendoj se kanë më shumë cilësi dhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Turneu do të jetë shumë i vështirë për shkak të temperaturave të larta, ndaj cilësia do të jetë vendimtare”, shtoi ai.
Ancelotti është një nga tre trajnerët italianë në Botëror, së bashku me Vincenzo Montella te Turqia dhe Fabio Cannavaro tek Uzbekistani.
Për Turqinë, Capello tha: “Montella ka një skuadër interesante. Ata luajnë me personalitet dhe bindje. Hakan Çalhanoğlu është kyç, ndërsa Kenan Yıldız është një lojtar që bën diferencën në fushë”>
Capello kujtoi gjithashtu eliminimin e Anglisë nga Gjermania në Botërorin 2010, kur drejtonte “Tre Luanët”.
Në atë ndeshje, goli i qartë i Frank Lampardit nuk u pranua, pasi arbitrat nuk panë që topi kishte kaluar vijën fatale. Në atë kohë nuk ekzistonte teknologjia e vijës së golit.
“Ende nuk mund ta kapërcej atë moment. Ne e ndryshuam futbollin. Teknologjia e vijës së golit u krijua pas atij rasti,” tha Capello.
“Do të kishim barazuar nga 2-0 në 2-2 dhe po luanim gjithnjë e më mirë. Nuk e dimë se deri ku mund të kishim shkuar dhe ende nuk mund ta pranoj atë që ndodhi”, shtoi ai.
Ai tha se është veçanërisht kurioz të shohë paraqitjet e Anglia dhe Gjermania në këtë Botëror.
“Nëse Anglia ka ende energjinë fizike dhe mendore për turneun, atëherë mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme”, u shpreh ai.
Duke folur për gjendjen e futbollit italian, Capello komentoi edhe emërimin e përkohshëm të Silvio Baldini për ndeshjet kundër Luksemburgut dhe Greqisë.
“Më pëlqen Baldini, e njoh personalisht. Por ne duhet të përmirësohemi shumë në çdo aspekt, veçanërisht në intensitet dhe qarkullimin e topit”, shtoi ai.
Sipas Capellos, problemi më i madh i Italisë është mbrojtja.
“Historikisht kemi qenë gjithmonë të fortë në mbrojtje. Kemi bërë histori me mbrojtësit tanë, por tani po vuajmë në atë repart. Do të kërkoja mbrojtës të fortë italianë”, vazhdoi ai.
Për mënyrën se si Italia mund të rikthehet në majat e futbollit botëror, ai theksoi rëndësinë e projekteve afatgjata dhe zhvillimit teknik të lojtarëve të rinj.
“Në akademitë tona fokusohemi shumë te taktika dhe jo te teknika. Kemi humbur cilësinë teknike. Duhet të luajmë më shpejt, me më shumë intensitet, personalitet dhe vertikalitet”, tha Capello.
Në fund, Capello përmendi si shembull pozitiv ekipin e Comos të drejtuar nga Cesc Fàbregasi.
“Duhet të shikojmë Comon e Fàbregasit. Ata luajnë futboll të bukur, e mbajnë topin dhe gjithmonë kërkojnë të ecin përpara”, e mbylli ai.






