“VV po ikë”, Ramadani kërkon hetim për konfliktin e interesit dhe Autoritetin e Konkurrencës

- Advertisement -

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nuk ka arritur t’i zhvillojë punimet për shkak të mungesës së kuorumit, pasi munguan deputetët e koalicionit qeverisës.

Kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, tha se anëtarët nga VV kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes vetëm 15 minuta para fillimit, duke e cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe jo serioz.

Në rend dite ka qenë shqyrtimi në parim i projektligjit për efiçiencë të energjisë.

Anëtari i Komisionit nga Aleanca, deputeti Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i shmanget mbikëqyrjes së institucioneve, raporton Klankosova.tv

Ramadani tha se bëhet fjalë për miliona euro që hyjnë dhe qarkullojnë në ekonominë e Kosovës, ndaj, sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë i qartë në funksionimin e tij, në mënyrë që të mos krijohen mundësi për abuzim me tregun.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për konflikt të mundshëm interesi te dy deputetë të partisë në pushtet, duke pretenduar se mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, për shkak të bizneseve të tyre ose të afërmve të tyre.

“Vetëvendosje po ikë nga mbikëqyrja e institucioneve. Jemi duke folur për miliona euro që futen, qarkullojnë në ekonominë e Kosovës, në të cilat ky autoritet duhet të jetë i qartë, në mënyrë që askush të mos e ketë mundësinë të abuzojë me tregun në Kosovë. Fatkeqësisht, mendoj që dy deputetë kanë konflikt interesi direkt, mund të ketë edhe më shumë, për shkak të bizneseve të tyre apo të të afërmve të tyre, të cilët kanë nevojë t’i mbrojnë tash”, deklaroi Ramadani.

Deputeti kërkoi angazhimin e Prokurorisë Speciale, në mënyrë që të verifikohet dhe të qartësohet secila situatë, si ajo e konfliktit të mundshëm të interesit, ashtu edhe pretendimet për paligjshmëri brenda Autoritetit të Konkurrencës.

“Kjo mendoj që është punë përtej politikës. Nuk po flasim për qëndrime politike. Kisha kërkuar nga Prokuroria Speciale të ketë angazhim, të vërtetohet e të qartësohet secila situatë, edhe për konfliktin e interesit, edhe për situatën joligjore ose pretendimet për paligjshmëri brenda Autoritetit të Konkurrencës. E kemi të qartë se kemi të bëjmë me njerëz politikë. Udhëheqja e Autoritetit të Konkurrencës janë njerëz partiakë”, përfundoi Ramadani.

Të ngjashme

Të fundit