15.3 C
New York
Monday, November 23, 2026

Buy now

Martin Berishaj s’do të jetë më ambasador në Kroaci, Qeveria e zëvendëson me militanten e VV-së, Hasnija Ilazi

Qeveria propozon mbështetësen e VV-së, Hasnija Ilazi, për ambasadore në Zagreb, në vend të Martin Berishajt.

Martin Berishaj nuk do ta ketë edhe një mandat si ambasador i Kosovës në Kroac

Berishaj, i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë, pritet që të zëvendësohet nga një militante e Vetëvendosjes – Hasnija Ilazi.

Ky është propozimi i Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Kjo dëshmohet në shkresën që ia ka dërguar Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Në shkresë, Konjufca i kërkon shqyrtimin e propozimit për emërimin e Ilazit si ambasadore në Zagreb.

“Në rrafshin e drejtimit institucional dhe arritjeve profesionale, znj. Ilazi ka shërbyer si Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (2021–2026), ku ka udhëhequr procese kyçe të ngritjes së cilësisë dhe përshtatjes me standardet evropiane, si dhe mban titullin Presidente Nderi e këtij institucioni.”, thuhet në dokumentin që e ka publikuar Nacionale.

Konjufca thotë se duke marrë parasysh profilin e saj akademik dhe lidhjet me Kroacinë, Ilazi i ka kapacitetet e nevojshme për ta përfaqësuar Kosovën në Kroaci.

DIPLOMACIA PARTIAKE Martin Berishaj s’do të jetë më ambasador në Kroaci, Qeveria e zëvendëson me militanten e VV-së, Hasnija IlaziHasnija Ilazi është e afërt me VV-në. Ajo ka qenë vazhdimisht në përkrahje të partisë në pushtet.

Me ardhjen e VV-së në pushtet, Hasnije Ilazi ishte zgjedhur anëtare Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Më vonë, Ilazi kishte marrë edhe drejtimin e KSHC-së.

Kënd po e zëvendëson Ilazi?

Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para një komisioni parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.

Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.

Se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-I, dega në Beograd, Berishaj e ka pranuar në intervistën e tij para Prokurorisë Speciale, për të cilën VOX Kosova kishte raportuar më 23 janar të këtij viti.

Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë, “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atij vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë.

Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.

Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.

Përkundër këtyre dyshimeve për afera korruptive, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.

Madje, nga partia që ka pushtetin në Kosovë, e kanë mbrojtur vazhdimisht Berishajn, duke i cilësuar si “të pavërteta” raportimet për të.

Të ngjashme

Të fundit