Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ky takim vjen disa ditë pas skandalit në Këshillin Evropian, ku u lëshua muzikë nacionaliste serbe kundër Kosovës.
Në një postim në platformën X, pas pjesëmarrjes në takimin ministror “Friends of the Western Balkans” në Athinë, Konjufca ka thënë se kanë kaluar gati katër vjet që nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim dhe se Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë Opinionin.
Ai ka theksuar se procesi i besueshëm i zgjerimit të BE-së duhet t’u japë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësi të përparojnë bazuar në meritat e tyre.
Konjufca ka shtuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe se është e gatshme të kontribuojë në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian./Gazeta Express
Postimi i tij në “X”
Një proces i besueshëm i zgjerimit të BE-së duhet t’i japë secilit vend të Ballkanit Perëndimor mundësinë të përparojë bazuar në meritat e veta.
Ky ishte mesazhi im në takimin ministror të sotëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, në Athinë. Falënderoj ministrin e Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis, dhe Ministrinë e Jashtme greke për organizimin e takimit.
Gati katër vjet pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë Opinionin e tij. I bëra thirrje Këshillit që ta kërkojë këtë Opinion.
Përparimi i vendeve fqinje tregon se çfarë mund të sjellë procesi i zgjerimit kur reformat shpërblehen.
Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe është e gatshme të kontribuojë në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.






