Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar zyrtarisht Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në një shkresë të sotit, datë 13 shtator 2026, të nënshkruar nga kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, propozimi i është drejtuar Albulena Haxhiut në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në shkresë, Vetëvendosje thotë se propozimin po e bën duke u mbështetur në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me qëllim të formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekt politik që ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026, propozon mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës;”
LVV-ja në shkresë i referohet nenit 84, pika 14, dhe nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, si dhe pikës 68 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/2014.
Shkresa vjen në të njëjtën ditë kur Haxhiu e shpalli të konstituuar legjislaturën e XI të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
PDK-ja, e cila mungoi në vazhdimin e seancës, ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Përmes kësaj shkrese, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftojmë për tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së znj. Vlora Çitaku për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
PDK-ja e paraqiti vendimin e tërheqjes së kandidaturës për nënkryetaren si pasojë të tejkalimit të afateve kushtetuese, jo si heqje dorë nga përgjegjësia institucionale.
“Kushtetuta nuk i përcakton afatet si orientime politike dhe as si rekomandime që mund të respektohen ose të shpërfillen varësisht nga interesat e shumicës parlamentare”, thuhet në dokument.
Partia i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe paragrafit 140 të Aktgjykimit KO124/25. Sipas saj, konstituimi duhej të përfundonte brenda 30 ditëve.
Afati kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa partia e udhëhequr nga Bedri Hamza tha se nuk u respektua as zotimi publik për përmbylljen e procesit deri më 6 shtator.
PDK-ja bëri të ditur se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për shkak të rëndësisë së 16 shtatorit dhe procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.






