Vuçiq pret përgjigje nga sekretari i NATO-s për Kosovën dhe Urën e Ibrit: Besoj se do ta marr përgjigjen deri të martën

- Advertisement -

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pret përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me letrën që i ka dërguar për situatën në Kosovë dhe çështjen e Urës së Ibrit.

Gjatë një vizite në Vladimirci, Vuçiq tha se pret që Rutte t’i përgjigjet letrës deri të hënën ose të martën, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë e një bisede telefonike mes tyre.

“Besoj se do ta marr përgjigjen deri të hënën ose të martën. Besoj se do të më telefonojë që të bisedojmë”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, presidenti serb i kishte dërguar një letër Ruttes, në të cilën kërkoi nga KFOR-i që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e cilësoi si “terror ndaj serbëve” në Kosovë.

Në letrën e tij, Vuçiq ka kërkuar gjithashtu që KFOR-i të pengojë hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve.

I pyetur nga gazetarët nëse pret presion të shtuar ndaj serbëve në Kosovë para zgjedhjeve, Vuçiq u përgjigj se një gjë të tillë e pret.

Ai përmendi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, duke pretenduar se të dy kanë mbështetur kundërshtarët e tij politikë në Serbi.

“Kurti tashmë është deklaruar. Ai, së bashku me Plenkoviqin, në një konferencë të përbashkët për media, i kanë mbështetur kundërshtarët tanë dhe do të bëjnë gjithçka që kundërshtarët tanë të fitojnë në zgjedhje”, deklaroi Vuçiq

Të ngjashme

Të fundit