UP-ja i nderon me “Honoris Causa” çiftin DioGuardi

- Advertisement -

Universiteti i Prishtinës ndau titullin e tij më të lartë “Doctor Honoris Causa” për ish-kongresistin amerikan Joseph J. DioGuardin dhe bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardin.

Ish kongresisti dhe bashkëshortja e tij, për më shumë se katër dekada në kuadër të aktiviteteve lobuese të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, u angazhuan pa ndërprerë për të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe për një jetë më të mirë të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se falë angazhimit të çiftit bashkëshortor dhe të shumë miqve tjerë të Kosovës, “narrativa e një regjimi represiv dhe antidemokratik u sfidua dhe u demaskua plotësisht”.

“Angazhimi juaj nuk u kufizua vetëm në Kosovë. Ju depërtuat përtej Perdes së Hekurt të regjimit komunist në Shqipëri, duke u takuar me presidentin e fundit komunist të vendit, Ramiz Alia, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk i kishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë”.

“Sot, kur Universiteti i Prishtinës po ju ndan nderimin e tij më të lartë, titullin Doctor Honoris Causa, unë si rektor i këtij universiteti e ndjej jo vetëm privilegjin, por edhe peshën morale të këtij çasti”, u shpreh Hajrullahu.

Rektori i UP-së rikujtoi gjithashtu se DioGuardi është laureat i Urdhrit të Lirisë të Presidentes së Republikës së Kosovës që nga viti 2023, duke e cilësuar ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës si një moment me peshë të veçantë.

Sipas tij, mirënjohja ndaj personaliteteve që kanë kontribuar për Kosovën duhet të jetë pjesë e kujtesës publike dhe e edukimit të brezave të rinj.

Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës, përmes këtij nderimi, po shpreh mirënjohjen institucionale për kontributin e DioGuardit dhe rolin e tij në momente të rëndësishme për Kosovën.

Joseph DioGuardi, në fjalimin e tij, përcolli një mesazh për barazi, dinjitet njerëzor dhe përkushtim ndaj të tjerëve. Ai tha se jetën ia ka kushtuar njerëzimit dhe jo pasurisë, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të jenë më të bashkuar dhe të promovojnë identitetin e tyre në botë.

Ish-kongresisti amerikan tha se është shumë i prekur me marrjen e titullit “Doctor Honoris Causa”.

“Kjo është një ngjarje kaq e mrekullueshme. Nuk e keni idenë se sa i prekur jam për këtë. U kam përkushtuar jetën time njerëzve të tjerë, jo parasë”, tha ai

Ndërkaq, Shirley C. DioGuardi tha se ceremonia dhe prezantimi për punën e tyre ishin të jashtëzakonshme dhe të detajuara, duke kujtuar angazhimin e përbashkët gjatë luftës në Kosovë dhe rrugëtimin deri në ditët e sotme.

Ajo tha se kishte ardhur duke menduar se do të mbante vetëm një fjalim pranimi për titullin “Doctor Honoris Causa”, por ceremonia kishte sjellë shumë më tepër kujtime dhe tema për të cilat duhet folur.

Të hënën, U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, ua dorëzoi dekretin e shtetësisë së Kosovës, ish-kongresistit amerikan, Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardit.

Të ngjashme

Të fundit