9.2 C
New York
Saturday, April 20, 2024

Buy now

UÇK ja ishte partner politik i besueshëm për ndërkombëtarët lidhur me vendosjen e paqes në Kosovë

- Advertisement -

Shkruan: Lulzim Nika

Të gjitha dokumentet e kohës, në veçanti ato të Arkivave të deklasifikuara nga Arkivat amerikane dëshmojnë për rolin konstruktiv te liderëve politikë te UÇK-së dhe angazhimin për arritjen e paqes ne Kosovë.
Dokumentet më të spikatura janë ato të arkivit të presidentit Klinton që për herë të parë iu ofrohen hulumtuesve. Pas kërkesës sime nga tetori i vitit të kaluar dhe lejes për qasje në ato dokumente, dëshmohet roli i veçantë i disa personaliteteve shqiptare që patën ndikim vendimtar për lirinë e Kosovës.

Në tetor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës të bëra nga zyrtarë të qeverive të kohës, e të cilat i disponojmë të kopjuara.

Në analizat e shërbimit inteligjent amerikan, një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit për lirinë e Kosovës, zë presidenti Ibra¬him Rugova, që mund të thuhet me një fjalë, nga këto dokumente, ishte projektuesi dhe ndërtuesi i autostradës diplomatike të shtetit të Kosovës me Amerikën. (Dok. FOIA 2017- 0034- F -Ibrahim Rugova).

Një rol të rëndësishëm, në këto analiza të shërbimit inteligjent amerikan, i kushtohet edhe liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, me ç’rast, mbetet partner kryesor në arritjen e paqes dhe stabilitetit të ardhshëm të Kosovës.
Besimi në udhëheqësit e UÇK-së ishte aq i madh dhe bashkëpunimi aq i ngushtë, sa në një rast me diplomatët evropianë, vetë sekretarja e shtetit, Albright, thotë se “ju garantoj që këto obligime ndërkombëtare, UÇK-ja do t’i zbatojë në përpikëri, pasi liderët e saj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kanë dëshmuar lidership të përgjegjshëm dhe shumë konstruktiv në arritjen e paqes në Kosovë”. (Dok.FOIA 2019-0344 F George Stephanopoulos and Kosovo: Box 1.)

Po ashtu, në bisedimet e presidenti Klinton dhe Jelcinit nëpërmjet telefonit, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, presidenti Klinton thotë se “liderët politikë të UÇK-së kanë dëshmuar lidershipin e një forcë, të përgjegjshëm dhe ndërtues të një Kosove të barabartë për te gjithë”.
Një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarët e sidomos për amerikanët, ishte edhe transformimi i UÇK-së në TMK dhe zotimin për ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë në Kosovën e lirë.

Rolin konstruktiv të Kadri Veselit në bashkëpunimin me aleatët tanë e sidomos me SHBA-në në ruajtjen e interesit të përbashkët nga rreziku i organizatave terroriste dhe qëllimeve të tyre në Kosovë për të instaluar pa siguri, ishte i jashtëzakonshme dhe shumë i vlerësuar nga amerikanët.
Të gjitha dokumente e diplomatëve dhe përfaqësuesit e presidentit Klinton, dëshmojnë për masakrat çnjerëzore të shtetit serb në Kosovë kundër popullsisë civile shqiptare.
Qeveria amerikane ishte zotuar që këta kriminelë duhej të dalin para drejtësisë pasi gjurmët e krimeve ishin prezentë në të gjithë territorin e Kosovës. (Dok. FOIA 2012- 0956-F International Criminal Court: Boxes1-7.)

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë aktiv në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe nëpërmjet një rezolute të shprehet mospajtimin me terminologjinë e përdorur nga ana e Gjykatës Speciale, edhe në rast të efektit të paktë, ajo duhet të mbetet si dokument i mospajtimit.

UÇK-ja mbetet bazamenti i themelimit të Republikës së Kosovës pa i mohuar edhe gjithë ata breza që luftuan me pendë dhe pushkë dhe nuk u pajtuan me okupatorin serbo-sllave, duke qenë përjetësisht mirënjohës për kontributin dhe sakrificën sublime për liri.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit