Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshiti janë tre nga deputetët që dikur ishin pjesë e listës së Vetëvendosjes, e që kaluan te Vjosa Osmani për të garuar bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto zhvillime kanë nxitur reagime të shumta, ndërsa mbrëmjen e së premtes disa fjalë u thanë edhe nga kryetarët e këtij subjekti, Faton Peci e Donika Gërvalla.
Ky në një video të publikuar në Facebook, u pa se mblodhi disa anëtarë të GUXO-s dhe iu përgjigj deklaratave se partia GUXO “nuk ekziston”, një pretendim që, sipas tij, është përsëritur “qe pesë vite në studiot televizive”.
Në fund, ai u dëgjua duke thënë “Tung e bafshit”.
“Qe pesë vite në studiot televizive vazhdimisht flitet se si partia GUXO nuk ekziston. Tash në prag të zgjedhjeve nacionale, na paska shpallur se jemi shu si parti. Për koincidencë unë jam në takim të zgjeruar me strukturat e partisë GUXO në Mitrovicë. Besoj që gjithë ata që e shohin këtë përbërje të GUXO’s në Mitrovicë mund të thonë se…”, tha Peci.
Video e njëjtë, u shpërnda më pas nga Donika Gërvalla. Sipas saj, për ta sfiduar GUXO-n “nevojiten ide të reja”.
“Zgjedhje të reja, avazi i vjetër.
Çdo herë, ama bash secilën herë, në prag të zgjedhjeve, kundërshtarë e konkurrentë, bashkë me disa biznese mediale dhe analistë e opinionistë aspak të pavarur, e sigurojnë njëri-tjetrin që Partia Guxo, jo vetëm që është e vogël dhe e dobët, por madje as nuk ekziston. Dhe pastaj zgjohen në mëngjesin pas zgjedhjeve dhe konstatojnë se kandidatët për deputetë të Partisë Guxo përsëri janë ndër më të votuarit në vend.
Për të na sfiduar vërtet, nevojiten ide të reja. Nuk po mjafton ripërtypja e tezave të vjetra të dështuara.
Të vendosur. Të palëkundur. Bashkë!”, shkroi ajo në Facebook.
Theksojmë se Vjosa Osmani pas përplasjeve me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Guxo ka vendosur që të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit brenda listës së LDK-së.
Nga LDK kanë bërë me dije se Osmani do t’i ketë rreth 20 anëtarë të propozuar.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën nga ora 10:00 pritet të mbajë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm.
Po ashtu, Këshillin e Përgjithshëm të shtunën do ta mbledhë edhe LDK-ja nga ora 12:00, ku pritet të zyrtarizohet kandidatura e Osmanit për presidente.






