Tre të vdekur në Meksikë gjatë festës pas kualifikimit tutje në Kupën e Botës

- Advertisement -

Një 19-vjeçare është në mesin e tre njerëzve që vdiqën nga ngulfatja gjatë festimeve për Kupën e Botës të martën në Mexico City.

Një grua 48-vjeçare dhe një burrë 44-vjeçar gjithashtu vdiqën, pasi turma e njerëzve u grumbullua në qytet pas fitores së Meksikës kundër Ekuadorit me rezultat 2 me 0, tha të mërkurën autoriteti shëndetësor i kryeqytetit meksikan, raporton televizioni BBC.

Më shumë se një milion njerëz dolën në rrugë, kryesisht përreth monumentit Engjëlli i Pavarësisë në qendër të qytetit, për ta shënuar fitoren e parë të Meksikës në fazën e eliminimit të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës që nga viti 1986, tha adiministrata lokale.

Kryetarja e qytetit, Clara Brugada, ua shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” familjeve të viktimave dhe u zotua për mbështetje në ditët në vijim.

Autoritetet shëndetësore thanë se shërbimet emergjente trajtuan tre persona pa vetëdije në zona të ndryshme përreth “Paseo de la Reforma” para se ata të dërgoheshin në spital.

U konfirmua se të tre personat kishin vdekur nga ngulfatja dhe u identifikuan nga familjet e tyre.

Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale pas njoftimit për vdekjen e tre personave, kryetarja e qytetit u bëri thirrje tifozëve që “gjithmonë të festojnë me përgjegjësi, kujdes dhe ndjeshmëri”.

Të ngjashme

Të fundit