Dy persona dyshohen se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme 134 mijë e 761 euro, duke mashtruar një person me premtimin se do t’i mundësonin kryerjen e transplantimit të veshkës në një spital në Turqi.
Për rastin, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve, me inicialet V.H. dhe A.K.
Klankosova.tv mëson se një prej të dyshuarve është recidivist dhe bëhet fjalë për Valmir Hajrullahun.
Sipas Prokurorisë, V.H. dyshohet se gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Pejës, është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte transplantimin e veshkës.
Për realizimin e pretenduar të kësaj procedure, sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka kërkuar dhe marrë nga i dëmtuari shuma të ndryshme parash, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.
“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, dyshohet se e ka mashtruar të dëmtuarin, duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Tutje, Prokuroria pretendon se V.H. ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim që të krijonte bindjen te i dëmtuari se transplantimi do të realizohej.
Si pasojë, sipas aktakuzës, të dëmtuarit i është shkaktuar dëm material në shumën prej 134 mijë e 761 eurosh.
Në këtë rast është i përfshirë edhe i pandehuri A.K., i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale. Sipas Prokurorisë, ai e ka njoftuar të dëmtuarin me V.H.-në, duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi dhe duke i krijuar besim lidhur me kompetencat dhe mundësitë e tij për organizimin e transplantimit të veshkës.
“Për personin tjetër të përfshirë në rast, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar”, njofton Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Pejë thotë se, me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat akuzohen.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.






