Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Për më shumë se një çerek shekulli nga tërheqja e aparateve politike dhe atyre të dhunës shtetërore serbe nga Kosova, në kuadër të forcave politike që garonin për pushtetin politik në Kosovë u instalua logjika e mbrotjes së “UDB-ashëve” dhe pinjollëve të tyre që aderonin në partitë e tyre dhe sulmit ndaj “UDB-ashëve” dhe pinjollëve të “UDB-ashëve” që aderonin në partitë rivale. Me një fjalë, zotëroi logjika se “UDB-ashët” dhe fëmijët e “UDB-ashëve” të partisë sonë janë më të mirë se “UDB-ashët” dhe fëmijët e “UDB-ashëve” të partive të tjera!
Dëshmitë e një numri veprimtarësh politikë në emisionin e gazetarit Ermal Panduri, të titulluar “Tradhëti vëllezërish, shqiptarët dhe UDB-ja”, në “TV Dukagjini”, nxorën në publik ferrin nëpër të cilët kanë kaluar atdhetarët shqiptarë që merrnin guximin të cenonin “parajsën jugosllave”.
Meqenëse në shumicën dërmuese të dëshmive të transmetuara deri tani, përmendet inspektori i atëherëshëm i Sekretariatit Krahinor për punë të Brendshme, Mehmet Loci, gazetari e pa të udhës t’i jepte mundësi edhe ish “UDB-ashit”, të sqarohej.
I edukuar të veprojë në përputhje me logjikën serbe të shpërndarjes së gënjeshtrave, që në fillim të intervistës së tij, Mehmet Locin e “tradhëtoi” mosha: shpall si karakteristikë të popujve ballkanas, atë që ja kanë ngulitur në shpirt mentorët e tij serbë! Në minutën e 19-të të intervistës së transmetuar më 3 shtator 2024, ai deklaroi: “Po ju them diçka ! Ne jemi popull i Ballkanit. Tek ne gënjeshtrës i besohet ! E vërteta duhet të provohet ”!
Duke u nisur nga këto premisa të edukimit serb që ka marrë gjatë periudhës së konvertimit nga “arkeolog” pa përvojë, në “UDB-ash” të regjur, Mehmet Loci nuk la gjë pa shpifur apo pa lënë mundësinë e interpretimit të rrejshme të çështjet për të cilat e pyeste gazetari.
Nga të gjitha gënjeshtrat e sajuara që volli gjatë kësaj interviste, ishin të pështira fjalët që tha për Heroin e Kombit, Ismajl Haradinaj, dhe dy kolosët e luftës sonë çlirimtare (Nasimin dhe Agronin).
Për shkak të insinuatave që bartë me vete thëniet e tij: “nuk do të tregojë se çfarë na i paskësh thënë Ismajl Haradinaj gjatë ‘bisedave spastruese’” dhe përmendja e Haradinajve në kontekst të pohimit se “të burgosurit politikë edhe gjatë vuajtjes së dënimit kanë qenë të tërhjekur për bashkëpunim nga operativcat e Sekretariatit për Punë të Brendshme të burgut të Nishit”, më shtrëngoi të sqaroj me sa vijon:
– Ismajl Haradinaj, nuk kanë qenë asnjëherë i transferuar në burgun e Nishit;
– Pas shqiptimit të dënimit maksimal prej 15 vjetësh, Ismajl Haradinaj është transferuar nga burgjet hetuese të Kosovës, në burgun famëkeq “Zabella” të Pozharevacit (vendëlindjen e Sllobodan Millosheviqit);
– Gjatë qëndrimit në këtë burg, Ismail Haradinaj është mbajtur në Pavijonin 7, ku ishin të burgosurit e kategorisë që mbaheshin “Nën Mbikëqyrkje të Përforcuar pa Punë”;
– Më 12 mars 1982 më transferuan nga Burgu i Qarkut i Mitrovicës, në burgun “Zabella” të Pozharevacit;
– Në periudhën 12 mars 1982 – 28 tetor 1986, sa kam qëndruar në këtë burg, më shumë se një vjet kam qenë në të njëjtën kthinë me Ismajl Haradinajn;
– Përkundër asaj se komunikimi nga kthina në kthinë ishte rreptësisht e ndaluar, të burgosurit politikë që mbaheshin në Pavijonin 7 e dinin se gjendja shëndetësore e Ismajl Haradinajt ishte shumë e keqe. Mirëpo tek pasi e sollën në kthinën tonë, u bindëm se ai ishte në gjendje të tmerrshme:
a) i sëmurë nga turberkulozi, pa trajtim mjeksor dhe pa terapi, sa herë që kullej, Ismajl Haradinaj nxirrte nga goja copëza gjaku të kuaguluara, që dukeshin si pjesë të mushkërive të shkulura nga krahërori;
b) sipas pohimeve të Ismajl Haradinajt, gjatë torturave në “bisedat spastruese” që janë zbatuar ndaj tij, Mehmet Loci dhe “UDB-ashët” e tjerë kishin përdorur edhe mjete kimike për t’ia “spastruar trurin” nga idetë “kundërrevolucionare që synonin ta ndanin Kosovën nga Serbia dhe ta prishnin vllazërim-bashkimin me serbët”.
c) si pasojë e eksperimenteve që kishin zbatuar “gjatë bisedave spastruese” ndaj tij, Ismajl Haradinaj kishte humbur aftësinë e artikulimit të mendimeve;
d) eksperimentet kimike që ishin zbatuar ndaj tij, kishte lënë pasoja kaq të mëdha dhe të pakthyeshme, saqë pas daljes nga burgu, në tetor të vitit 1992, duke u shërbyer me dokumentacionet e dikujt që kishte leje qëndrimi në Suedi, familja dhe shokët organizuan transferimin e Ismajl Haradinajt nga Gllogjani në Tetovë dhe pastaj nga Tetova në Stokholm;
e) fatkeqësisht dëmet ishin kaq të mëdha, saqë edhe pas trajtimit dy dekadhësh, as mjekësia e avancuar suedeze nuk mundi t’ia përmirësonte gjendjen e rëndë shëndetësore.
“UDB-ashi” i regjur, Mehmet Loci, shpreson se periudha katër dekadëshe që ka kaluar nga ajo kohë për të cilën flasin dëshmitarët, do t’i mundësojë “të përhapë gënjeshtra, të cilave, populli shqiptar, si popull ballkanas, do t’u besojë”. Mehmet Loci, UDB-ashët e tjerë dhe pjella e tyre duhet ta dijë se ka vdekur koha e torturave “spastruese” që zbatonin ndaj atdhetarëve shqiptarë.
P.S.
Gjatë intervistës në fjalë, gazetari Ermal Panduri disa herë ia tërhoqi vërejtjen të ndërpriste përpjekje për të shitur mjegull. Krahas këtij aspekti, përpjekjet e Mehmet Locit për të përqendruar vëmendjen e teleshikuesve në atë përse ish të burgosurit politikë që kanë dëshmuar deri tani nuk i përmendin edhe UDB-ashët serbë, nxjerr në sipërfaqe kauzën serbe të mishëruar në shpirtin e kësaj kategorie UDB-ashësh!
Emisioni i Ermal Pandurit titullohet “Tradhëti vëllezërish, shqiptarët dhe UDB-ja”! Vetëm ata që shpirtërisht ishin të vëllazëruar me serbët, si Mehmet Loci dhe të ngjashëm si ai, mund të kërkojnë përmendjen e “vëllezërve UDB-ashë serbë”! Por një gjë e tillë nuk mund kërkohet as nga Nasim Haradinaj e as nga të atdhetarët e tjerë, të cilët janë të dëshmuar si të pashoq për guximin që t’i thonë gjërat ashtu siç kanë qenë!