Ten Hag e sulmon Ronaldon: Nuk vraponte, e la ekipin në baltë

- Advertisement -

Erik ten Hag ka rikthyer polemikat për periudhën e tij te Manchester Unitedi, duke kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon për angazhimin në stërvitje dhe gatishmërinë për të zbatuar detyrat taktike.

Në një intervistë për The Athletic, ish-trajneri i “Djajve të Kuq” deklaroi se sulmuesi portugez e kishte zhgënjyer, pasi klubi kishte planifikuar të mbështetej tek ai, përcjell “Express”.

“E la ekipin në baltë dhe më zhgënjeu, sepse kishim planifikuar me të”, u shpreh Ten Hag.

Holandezi pretendoi se Ronaldo nuk i përmbushte kërkesat fizike dhe taktike që kërkonte prej tij, veçanërisht në lëvizjet drejt zonës së rreptësisë dhe presingun ndaj kundërshtarëve.

“I thosha shpesh: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për të të vendosur në pozitën e duhur, por nëse nuk arrin të futesh në zonë, nuk mund të shënosh’. Ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tregoi Ten Hag.

“Nuk vraponte as me top, as pa top”

Ish-trajneri i Unitedit mohoi se kishte kërkuar që Ronaldo të bënte detyra për të cilat nuk ishte i përshtatshëm. Sipas tij, problemi qëndronte te përgatitja dhe angazhimi i futbollistit.

“Ai nuk vraponte as kur kishim topin, as kur nuk e kishim. Arsyeja ishte se nuk ishte përgatitur siç duhej”, deklaroi holandezi.

Ten Hag shtoi se çdo skuadër e madhe duhet ta përshtatë lojën për yjet e saj, por edhe futbollistët më të mirë duhet të punojnë për ekipin.

“Çdo skuadër e madhe duhet ta pranojë lojtarin e saj më të mirë, por lojtari më i mirë duhet të punojë për ekipin. Për disa, Manchester Unitedi nuk ishte prioriteti kryesor”, përfundoi ai.

Marrëdhënia përfundoi me ndarje

Ronaldo dhe Ten Hag patën një marrëdhënie të tensionuar gjatë periudhës së tyre në Manchester. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2022, kur portugezi refuzoi të hynte si zëvendësues ndaj Tottenhamit dhe më pas kritikoi publikisht klubin në një intervistë.

Në nëntor të atij viti, palët e ndërprenë kontratën me marrëveshje të përbashkët, ndërsa Ronaldo më pas iu bashkua Al-Nassrit në Arabinë Saudite.

Të ngjashme

Të fundit