Kosova e mbyll në barazim miqësoren me Maltën

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 2:2 në ndeshjen miqësore kundër Maltës, që u zhvillua të dielën në “National Football Centre” në Maltë.

Dardanet kaluan në epërsi në minutën e 40-të, kur Kaltrina Biqkaj shënoi për 1:0.

Vendaset barazuan rezultatin në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Kosova riktheu epërsinë në minutën e 82-të me golin e Aurela Imerajt.

Megjithatë, Malta arriti të barazojë shifrat në minutën e dytë të kohës shtesë, duke bërë që ndeshja të përfundonte 2:2.

Përkundër rasteve të shumta të krijuara, futbollistet e Kosovës nuk arritën të tregoheshin mjaftueshëm efikase për ta siguruar fitoren.

Përzgjedhësja Sanije Krasniqi miqësoren e sotme e ka vlerësuar si pozitive, duke pasur parasysh edhe mungesat e rëndësishme në ekip.

“Ka qenë një ndeshje e mirë testuese. Kemi pësuar një gol pas një ndërprerjeje dhe një tjetër në minutën e fundit, pas një kundërsulmi. Nga ana tjetër, nuk arritëm t’i shfrytëzonim siç duhet rastet tona për shënim. Megjithatë, pozitive është se përkundër mungesës së katër lojtareve që zakonisht janë titullare, patëm mundësinë t’i testonim edhe tetë lojtare të reja, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për kualifikimet e radhës. E këto dy ndeshje fokusin e kanë pikërisht në komponimin e ekipit, përcjelljen e lojtareve të reja dhe përshtatjen e tyre me grupin, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitura për ciklin e ardhshëm kualifikues. Ky është një proces që kërkon kohë dhe vazhdimësi”, ka theksuar Krasniqi.

Kosova do ta zhvillojë edhe një ndeshje miqësore në Maltë. Të mërkurën, më 2 dhjetor, Dardanet”do të përballen me Izraelin, takim që nis në orën 14:00.

Të ngjashme

Të fundit