Pronari i Milanit synon Al-Nassrin, Ronaldo mund të mbajë 20 për qind të aksioneve

- Advertisement -

Al-Nassr ka hyrë në një fazë të re të aktivitetit investues. Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF) ka nisur negociatat me një konsorcium të udhëhequr nga kompania amerikane “RedBird Capital”, pronare e Milanit, për shitjen e 70 për qind të aksioneve të klubit saudit.

Sipas gazetës saudite “Arriyadiyah”, marrëveshja e mundshme mund të kapë vlerën e rreth një miliard riyalëve sauditë.

Pjesa e aksioneve që synohet të shitet vlerësohet në rreth 267 milionë dollarë.

Cristiano Ronaldo, kapiteni i skuadrës së parë të Al-Nassrit, mund të mbajë deri në 20 për qind të aksioneve, duke u bërë potencialisht bashkëpronar i klubit së bashku me konsorciumin investues.

Megjithatë, negociatat janë ende në fazat e hershme dhe kushtet përfundimtare të marrëveshjes nuk janë përcaktuar.

Sipas raportimit, “RedBird Capital” ka zhvilluar të paktën dy takime me Fondin e Investimeve Publike për të diskutuar blerjen e aksioneve.

Por një burim pranë fondit ka bërë të ditur se interesi i kompanisë amerikane është ende në fazën fillestare, duke paralajmëruar se bisedimet mund të mos përfundojnë me një marrëveshje.

Kështu, mbeten të mundshme disa skenarë, ndërsa gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohen negociatat.

Kërkimi i investitorëve nuk është e vetmja lëvizje që po shqyrtohet.

Fondi i Investimeve Publike po punon gjithashtu për të siguruar marrëveshje komerciale sponsorizimi me kompani që janë pjesë e portofolit të tij, me synimin për të ndihmuar në shlyerjen e detyrimeve financiare të Al-Nassrit, të cilat arrijnë në rreth 800 milionë riyalë sauditë, apo 213 milionë dollarë.

Të gjitha këto veprime synojnë të forcojnë gjendjen financiare të klubit dhe ta përgatisin atë për një fazë të re investimesh, paralelisht me negociatat për shitjen e aksioneve.

Në mesin e investitorëve të mundshëm pritet të jetë edhe kompania “Al-Wasail”, me seli në Riad, e cila operon në sektorët e medias, sportit dhe argëtimit, krahas “RedBird Capital”.

Blerja e një pjese të aksioneve të Al-Nassrit nga Ronaldo do të kishte peshë të madhe, duke pasur parasysh statusin e yllit portugez dhe ndikimin e tij global, si dhe lidhjen e ngushtë që ai ka krijuar me klubin që nga transferimi i tij.

Nëse marrëveshja realizohet sipas planit, kapiteni i “Al-Alami” mund të kalojë nga roli i liderit të skuadrës në fushë në atë të njërit prej aksionarëve të klubit.

Kjo do t’i hapte rrugën një kapitulli krejtësisht të ri në marrëdhënien e tij me klubin saudit.

Të ngjashme

Të fundit