Tahiri: PDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për Hagën, deklaratë të Kuvendit dhe votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara

- Advertisement -

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se PDK kërkon thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Tahiri tha se në këtë seancë Kuvendi duhet të miratojë një deklaratë të përbashkët dhe të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai kërkoi që projektligji të trajtohet me urgjencë.

“Isha këtu në emër të PDK-së, me qëllimin e vetëm për të kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të sillet me përgjegjshmëri, të reflektojë ndërgjegje, gatishmëri dhe të bëjë veprimet e nevojshme, të duhura dhe urgjente karshi situatës me të cilën po ballafaqohet vendi ynë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se pas aktgjykimit të 16 shtatorit kërkohet unitet politik dhe një qëndrim i qartë institucional.

“UÇK është e të gjithëve dhe të gjithë bashkërisht kemi obligim moral dhe kombëtar me e mbrojtë atë dhe me i mbrojtë çlirimtarët tanë atje, si dhe me pasë platformë konkrete të veprimit, në mënyrë që shteti me iu qëndru prapa dhe procesi me pasë epilog të dinjitetshëm dhe drejtësia me u kthy në vend”, u shpreh ai.

Sipas Tahirit, qytetarët po kërkojnë me të drejtë që partitë politike të bashkohen në një përgjigje ndaj aktgjykimit.

PDK vlerëson se hapi urgjent i Kuvendit është votimi i ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Të ngjashme

Të fundit