Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë: 16 shtatori ishte ditë e zezë për Kosovën, Kuvendi duhet të reagojë

- Advertisement -

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa PDK ka kërkuar reagim institucional lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale.

Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se institucionet duhet të reflektojnë dhe të veprojnë me përgjegjësi, duke kërkuar edhe një deklaratë të përbashkët të Kuvendit.

“Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri, të reflektojë dhe të bëjë veprimet e nevojshme. 16 shtatori ka qenë ditë e zezë për Kosovën. Qytetarët, me shumë të drejtë, po shprehin revoltën përmes protestës. Kjo situatë emergjente dhe urgjente kërkon përgjegjësi institucionale. Veproni, koordinoni, unifikohuni dhe kësaj padrejtësie historike përgjigjuni në mënyrë institucionale”, tha Tahiri.

Ai tha se në mbledhjen e Kryesisë ka kërkuar që Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët.

“Isha këtu që ta alarmoj situatën, ta kthej fokusin te situata emergjente. Kryesisë i kërkova që, edhe pse shumë e vonuar, Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët”, u shpreh Tahiri.

Tahiri ka theksuar se, përtej deklaratës së përbashkët, rëndësi më të madhe ka nisma ligjore e dorëzuar nga PDK-ja, e cila tashmë është përcjellë nga Kuvendi në Qeveri.

“Po më e rëndësishme se sa deklarata është projektligji, nisma ligjore, të cilën ne tashmë veç e kemi bërë, kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, dhe prej Kuvendit të Kosovës nisma ka shkuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Andej, tash, presioni e kërkesa e të gjithëve duhet të jetë te Qeveria e Republikës së Kosovës. Unë këtë kërkesë dhe këtë presion e bëj edhe sot, në mbledhjen e Kryesisë. Kryetarja Haxhiu u zotua që personalisht do të angazhohet të diskutoj me kryeministrin Albin Kurti që kjo të bëhet”, tha ai

Të ngjashme

Të fundit