Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se derisa kryeministri Albin Kurti po tregon se cilat marrëveshje me Kosovën s’po i zbaton Serbia, ai po refuzon të tregojë se si do ta vë në zbatim marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pasi e ka dakorduar atë në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, duke e quajtur atë “autonomi politike territoriale”.
Tahiri iu referua deklaratave të sotme të Kurtit, i cili tha se Serbia po refuzon të zbatojë marrëveshjen për dokumentacionin kadastral.
“Kurti po tregon cilen marreveshje nuk e ka zbatuar Serbia, por nuk po tregon si do ta zbatoj asociacionin dhe vetmenaxhimin/autonomine politike territoriale qe ua dha pakices serbe, me Marreveshjen e Ohrit…”, shkroi Tahiri.
Derisa po fliste për sigurinë e pronësisë, Kurti tha se kjo çështje kërkon gjithashtu të dhëna kadastrale të plota dhe të besueshme. Këtu ai akuzoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së 2011-ës.
“Sfidë e posaçme për shtetin tonë ngelet fakti që Serbia refuzon të zbatojë marrëveshjen e 2 shtatorit 2011, për dokumentacion kadastral. Përkundër që Bashkimi Evropian i ka dhënë 2 milionë euro për zbatim, Beogradi zyrtar nuk ka dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral e lëre më origjinalin”, ka thënë sot Kurti.






