BE: Jemi të shqetësuar për praninë e Radojiçiç-it në tubimin e SNS-së

- Advertisement -

Në një reagim të zbehtë, Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë për mosndërmarrjen e hapave të nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale të kryekriminelit, Milan Radojiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

Duke komentuar pjesëmarrjen e Radojiçiç-it, në tubimin e Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – BE ka thënë se mbetet e shqetësuar.

“Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmë të ndërsjellë juridike”, tha zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi se kjo çështje është zvarritur për një kohë të gjatë dhe se Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesa të mëtejshme.

Radojiçiç u pa më 9 tetor në një tubim elektoral të SNS-së në Kragujevc. Kryeterroristi po shoqëronte Danilo Vuçiç-in, djalin e ish-Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Radojiçiç kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjë të Zveçanit, qëllimi i të cilit ishte aneksimi i një pjesë të territorit të Kosovës.

Terroristët serbë kishin vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kosova e ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë për këtë sulm, derisa ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të vendos sanksione ndaj Beogradit zyrtar.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga sulmi. Përkundrazi, shteti serb kishte shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Basnjë ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave. Tre prej tyre janë dënuar, ndërsa të tjerët, duke përfshirë Radojiçiç-in, ndodhen në Serbi.

Të ngjashme

Të fundit