“Synojnë kontrollin në KPM dhe RTK”: Shoqëria civile dhe AGK-ja alarmojnë për ndërhyrjet e pushtetit

- Advertisement -

Shoqëria civile dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me juristen Flutura Kusari, kanë alarmuar se pushteti i Vetëvendosjes po synon kapje totale të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe të RTK-së.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se në mbledhjen e mbajtur dje, ka pasur shumë shkelje, të cilat janë bërë nga deputetët e VV-së.

“I gjithë procesi është jotransparent, nga ana e deputetëve të partisë më të madhe, organizimi i shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve, janë mbi 70 për RTK dhe mbi 30 për KPM. Ka pasur mungesë transaprence dhe për këtë anëtarët e opozitës e kanë bojkotuar mbledhjen e komisionit ad-hoc. Koha që janë ftuar kandidatët për intervistë ka qenë e kufizuar, dhe ua ka pamundësuar kohën e përgatitjes. Njëri kandidat është ftuar në orën 21 për intervistë sot. 70 aplikime që janë pranuar të premten, deputetët i kanë shqyrtuar dje, direkt pas pushimit të pashkëve. AGK dhe shoqëria civile kërkon që ky proces të pezullohet, dhe të nis vetëm kur të sigurohet që ka transparencë, dhe me kohë të përshtatshme për përgatitje. Më mirë të ketë vonesë në zgjedhjen e anëtarëve të bordeve, se të ketë proces të komprometuar, dhe që ka për synim kapjen e këtyre bordeve”, tha Rexha.

 

Mexhide Demolli nga Lëvizja Fol ka thënë se disa kandidatë, janë favorizuar nga deputetët e VV-së.

“Nga përvoja jonë që kemi monotiruar, ajo që kemi parë dje, e që pritet të shohim sot, është e kundërta nga praktika e mirë në të kaluarën. Gjatë mbledhjes së djeshme janë përdorur standarde të shumëfishta, është vendosur që kandidatët që nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentacionet të eleminohen. Gjatë shqyrtimit disa kandidatëve është konstatuar edhe pse s’kishin dorëzuar disa dokumentacione, t’iu mundësohet të kalojnë tutje, komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim, duke favorizuar disa kandidatë. Për intervistim, praktika ka qenë që deputetët të bëjnë përzgjedhjen e pyetjve të gjitha njëjtë, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret. Është udhëzuar administrata të përgatisë 20-30 pyetje prej të cilave kandidatët do të zgjedhin nga 3. Pavarësisht tri pyetjeve që do të përzgjidhen, komisioni ka mundësi në pyetje shtesë, gjë që nuk parashihet në një proces intervistimi, që bashkë me britanikët kanë sjellur praktikë të mirë”, tha

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se deputetët e VV-së kanë pasur takime me kandidatët për anëtarë të bordit në RTK.

“Karakteristikat janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një insttiucion të pavarur. Niveli i kualitetit të kandidatëve është shumë i ulët, është shumë vështirë me gjet profesioistë, dhe kjo ka ndodhur pasi profesionistët nuk i besojnë VV-së që do të zhvillojë proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë. Mbrëmë në orët e vona kandidatët janë ftuar për të ardhur sot në intervistë. Ta ftosh një person që do të shërbejë në RTK rreth orës 22 të natës, me u paraqit në mëngjes në intervistë, është tallje me procese demokratike. Një kandidat favorizohet sepe publikisht dihet që është pro-vv, dhe një tjetër përjashtohet sepse dihet që anon nga opozita. Disa prej deputetëve të VV-së janë takuar në kafiteri me kandidatët për anëtarë bordi të RTK-së. Një person që bëhet anëtar bordi nuk mjafton të jetë i pavarur, ai duhet të duket i pavarur, dhe takimet me deputetë, tregojnë për pazare që janë bërë. Shqyrtimi i dosjeve është bërë sa për sy e faqe. Janë bërë të gjitha përpjekjet që të kap tërësisht, siç e ka kapur RTK-në, që kur t’i shohim lajmet sa e mrekullueshme është qeveria, sa i mrekullueshëm është Kurti, dhe çdo gjë që bën opozita ose mediat e tjera janë në lidhje me Serbinë”, tha ajo.

Kurse, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se tendencat për ndërhyrje të pushtetit, janë të qarta.

“Komisioni i Pavarur i Mediave si institucion i pavarur kushtetues, ka rëndësi kruciale në fushën e lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në Kosovë. Së bashku me bordin e RTK-së janë bazamente të demokracisë. Për shkak të tentativa për ndërhyrjeve në këto institucione, Kosova është ranguar poshtë e më poshtë në raporte ndërkombëtare. Një delegacion i Këshillit të Evropës ka kërkuar evitimin e këtyre mangësive qepo përmendim, dhe po shohim që prap se prap këto tendenca për ndërhyrje po vazhdojnë. Mënyra si është menaxhuar ky proces, cenon këto parime, cenon aspektin e meritokracisë, transparencës dhe gjithpërfshirjes”, tha ai.

 

Gëzim Shala monitorues nga Instituti Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se Kosova po rangohet gjithnjë e më poshtë për në indekse dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare për shkak të tentativave të shumta për ndërhyrje në këto institucione.

“Është e domosdoshme me përmend që KPM si një institucion i pavarur kushtetues dhe si rregullator i mediave ka një rëndësi kruciale në fushën e lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në Kosovë. Për këtë arsye së bashku me bordin e transmetuesit publik janë bazamente të demokracisë. Për shkak të tentative të shumta për ndërhyrje në këto institucione Kosova është ranguar poshtë e më poshtë në indekse dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare.

Tutje, Shala tha se një delegacion i cili ishte në Kosovë rreth një muaj më parë i kishte kërkuar kryeministrit Kurti evitimin e ndërhyrjeve.

“Para një muaji një delegacion ka qenë në Kosovë dhe ka kërkuar nga kryeministri, Kurti pikërisht evitimin e këtyre mangësive që ne sot po i përmendim. Fatkeqësisht përkundër kësaj ne po shohim që këto tendenca për ndërhyrje në këto institucione po vazhdojnë”, tha Shala.

Të ngjashme

Të fundit