Pritjes i erdhi fundi, pasi Superliga e Kosovës në futboll nis këtë vikend, më datën 15 gusht.
Në të vërtetë, ndeshjet e xhiros së parë, do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, ndonëse ende nuk është caktuar orari i tyre.
Xhiro e parë do të ketë ndeshje interesante, por do të karakterizohet me dy përballje derbi.
Bëhet fjalë për ndeshjen Prishtinë – Ballkani, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet dhe duelin Llapi – Drita, i cili zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Përballjet tjera të kësaj xhiroje, janë: Drenica – Dukagjini, Feronikeli ’74 – Gjilani dhe Vushtrria – Malisheva.
Drita është kampione në fuqi, ndërsa Feronikeli ’74 dhe Vushtrria rikthehet në elitën e futbollit kosovar për sezonin 2026/27.
Krahas Superligës, këtë vikend nis edhe Liga e Parë e Kosovës në futboll, që gjithashtu pritet të jetë tejet interesante.






