Paris Saint-Germain ende nuk i ka bërë një ofertë zyrtare Barcelonës për sulmuesin Ferran Torres këtë verë, sipas një raportimi nga mediat spanjolle.
Gazeta katalanase “Mundo Deportivo” shpjegon se, pavarësisht raportimeve se Torres ka rënë dakord për një transferim te kampionët e Francës, deri më tani asnjë ofertë zyrtare nuk ka mbërritur në zyrat e Barcelonës.
Lojtari pritet të rikthehet në stërvitje të mërkurën e ardhshme, së bashku me pjesën tjetër të kampionëve të botës të Barcelonës.
Në Francë, situata raportohet ndryshe.
Media si “Onze Mondial” dhe “Le Parisien” e kanë vendosur shumën e mundshme të transferimit në rreth 50 milionë euro, shumë që PSG mund të jetë i gatshëm ta paguajë për sulmuesin e Barcelonës.
Sipas “Mundo Deportivo”, në Francë ekziston bindja se marrëveshja ka baza të forta për t’u finalizuar shpejt. Një faktor që mund ta përshpejtojë situatën është edhe ngurrimi i Ferranit për t’u rikthyer në stërvitjet e Barcelonës të mërkurën, qoftë edhe përkohësisht.
Gazeta katalanase shton: “Ndërsa Ferran ishte ende duke luajtur në Botëror, ku në fund u shpall kampion bote, Barcelona e bëri të qartë se sulmuesi i vetëm i saj që ka luajtur si ‘9’ në zonë gjatë dy sezoneve të fundit, pas largimit të Robert Lewandowskit, nuk është në shitje, përveç nëse vetë lojtari kërkon të largohet. Në një rast të tillë, klubi do të ishte i gatshëm të dëgjonte ofertat e klubeve të interesuara”.
PSG tashmë ka kontaktuar Barcelonën për t’i komunikuar interesimin për ish-lojtarin e Valencias.
Tani, kampionët e Francës duhet ta shndërrojnë këtë interesim në një ofertë zyrtare, të cilën Barcelona mund ta shqyrtojë konkretisht.






