7.9 C
New York
Tuesday, April 23, 2024

Buy now

Specialja merr vendim lidhur me kërkesat e ZPS-së për pranim të deklaratave të dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

- Advertisement -

Gjykatësi Charles Smith, si kryetar i trupit gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka vendosur lidhur me dy kërkesa të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në lidhje me pranimin e deklaratave të dëshmitarëve sipas rregullës 154 dhe 155 të Rregullores së procedurës dhe provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Rregulla 154 përmban “Pranimi i deklaratave dhe transkripteve me shkrim në vend të pyetjeve të drejtpërdrejta” dhe rregulla 155 përmban “Pranimi i deklaratave me shkrim të personave të padisponueshëm dhe personave që janë objekt i ndërhyrjeve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në vendim përshkruhet historiku procedural ku më 7 shkurt 2023, ZPS ka paraqitur një mocion të Rregullës 154 në lidhje me shtatë dëshmitarë (Mocioni i Rregullës së Parë 154). Tutje, më 1 mars 2023, ZPS ka paraqitur një mocion të Rregullës 155 në lidhje me 16 dëshmitarë (Mocioni i Rregullës 155) dhe më 24 mars 2023, ZPS ka paraqitur një mocion të dytë të Rregullës 154 në lidhje me nëntë dëshmitarë (Mocioni i Rregullës së Dytë 154).

Ndërkaq, më 6 prill 2023, ZPS-ja paraqiti një kërkesë në lidhje me disa pika që lidhen me: (i) Mocionin e Rregullës së Dytë 154 për dëshmitarin W04577; dhe (ii) Mocionin e Rregullit të Parë 154 për dëshmitarin W04474 (kërkesa e parë). Dhe më 8 maj 2023, ZPS-ja paraqiti një kërkesë në lidhje me çështje të caktuara në lidhje me Mocionin e Rregullës 155 për dëshmitarin W02618 (kërkesa e dytë).

Në vendim, thuhet se asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk iu është përgjigjur kërkesës së parë dhe as kërkesës së dytë.

Andaj, thuhet se gjykata ka vendosur që sa i përket dëshmitarit W04577, duke qenë se përditësimi i kërkuar nga ZPS kërkon të ofrojë versione të rishikuara dhe përkthime të pjesshme të transkripteve të W04577 të krijuara pas diskutimeve interpartes, të autorizohet Sekretaria që të përditësojë radhën e prezantimit për mocionin e Rregullit të dytë 154, duke zëvendësuar, aty ku është e nevojshme, transkriptet me dokumentet e shpalosura nga ZPS në Paketën e Zbulimit 745 të 5 prillit 2023.

“Paneli rikujton se ERN 067231-067231 RED dhe përkthimi i tij i saktë në anglisht 067231-067231-ET rishikuar, ndërkohë janë pranuar si prova”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, me këtë vendim është pranuar kërkesa e dytë dhe duke marrë parasysh se versionet e rishikuara të dokumenteve, i janë bërë të ditura mbrojtjes dhe se mbrojtja nuk ka ngritur ndonjë kundërshtim për zëvendësimin e kërkuar nga ZPS, Paneli ka autorizuar Sekretarinë të përditësojë radhën e paraqitjes për Mocionin e Rregullës 155 duke zëvendësuar, aty ku është e përshtatshme, transkriptet (përfshirë përkthimet), si dhe përkthimin në anglisht të ekspozitës shoqëruese me dokumentet përkatëse të shpalosura nga ZPS në Paketën e Zbulimit 72723.

Po ashtu, është vendosur që kërkesa e parë të riklasifikohet si publike.

Ndryshe, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të vazhdojë më 12 qershor 2023.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit