25.7 C
New York
Friday, July 19, 2024

Buy now

“Sot bullgar, nesër boshnjak”, komuniteti i ri në Kosovë “në krijim e sipër” – institucionet heshtin

- Advertisement -

“Atë letër e kam marrë nga njeriu ynë nga një fshat përreth”, thotë kjo bashkëbiseduese e Radios Evropa e Lirë, duke kërkuar të mbetet anonime.

Identiteti i saj i plotë, ashtu si dhe vendbanimi i saj në Kosovë është i njohur për redaksinë e REL-it.

Ajo thotë se pranoi ta nënshkruante dokumentin “e përgatitur dhe vulosur paraprakisht”, me të cilin ndryshohej origjina e saj, për të përfituar kushte më të mira të studimeve në Bullgari – vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Në pyetjen se a është bullgare, përgjigjet:

“Sigurisht që jo. Por, nëse kjo më duhet për regjistrim në fakultet, atëherë pse jo”?

Ajo thotë se pas nënshkrimit të atij dokumenti, në Bullgari është trajtuar si shtetase e këtij vendi, ka pasur të drejtën e bursës dhe të konviktit studentor.

Ajo tashmë i ka përfunduar studimet dhe është kthyer në vendlindjen e saj.

Përfaqësues të partive politike boshnjake në Kosovë thonë se Bullgaria, përmes individëve të caktuar të komunitetit boshnjak, po përpiqet ta krijojë komunitetin bullgar.

Në disa raste, viteve të fundit, autoritetet bullgare u kanë paraqitur udhëheqësve të Kosovës kërkesën për pranimin zyrtar të komunitetit bullgar në Kosovë.

Lidhur me këtë kërkesë, krerët e institucioneve të Kosovës heshtin.

Por, Kosova nuk është vendi i vetëm në Ballkan, ndaj të cilit Bullgaria kërkon pranimin e komunitetit bullgar.

“Sot bullgar, nesër boshnjak”

Deri më tash, “në Bullgari kanë diplomuar rreth 350 studentë”, të cilët janë nga zona të ndryshme të Prizrenit dhe Dragashit – pjesa jugore e Kosovës – thotë për Radion Evropa e Lirë Abaz Ademi, nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), nga radhët e komunitetit boshnjak.

Ai është, gjithashtu, një nga udhëheqësit e Zyrës së Shoqatës për Zhvillim dhe Integrim të Komunitetit Bullgar në Prizren, të cilën në dhjetor të vitit 2023 e hapi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Ademi thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhjet dhe komunikimi me autoritetet bullgare kanë nisur që 15 vjet dhe fokusi i interesimit të dyanshëm është te regjistrimi i studentëve nga Kosova në universitetet në Bullgari.

Kjo praktikë, sipas tij, vazhdon edhe sot.

“Në Bullgari, aktualisht, janë duke studiuar 189 studentë, në llogari të shtetit [të Bullgarisë]”, thotë ai.

Ademi konfirmon se ka ekzistuar praktika e nënshkrimit të një dokumenti, me kërkesën e konfirmimit të prejardhjes bullgare nga qytetarë të caktuar.

Ai nuk sqaron se kush i ka ofruar dokumentet e tilla, por thotë se praktika e tillë është ndërprerë.

Abaz Ademi, nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), nga radhët e komunitetit boshnjak.
Abaz Ademi, nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), nga radhët e komunitetit boshnjak.
“Kushdo që ndihet si bullgar, do të vijë në zyrën tonë dhe vetëm do të thotë se është bullgar. Nuk do t’i lëshojmë kurrfarë vërtetimi. Të gjitha vërtetimet që lëshoheshin më herët, i kemi ndaluar dhe ato nuk vlejnë”, thotë Ademi.

Ai shton se regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i cili u zhvillua nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj, pritet të zbardhë se sa është numri i qytetarëve të deklaruar si bullgarë.

Në formularin e regjistrimit, qytetarët kanë mundur të deklarojnë se i përkasin ndonjë etnie “tjetër” dhe ta cekin se cila është ajo.

Ademi, për shembull, thotë se i takon komunitetit boshnjak, por në regjistrimin e popullsisë është deklaruar si bullgar.

Ademi: Sot jam bullgar.

REL: E nesër?

Ademi: Nesër do të jem boshnjak sërish.

Bale: Krijimi i komunitetit bullgar nuk mund të injorohet

Komuniteti bullgar në Kosovë është “në proces të krijimit” dhe ky fakt “nuk mund të injorohet”.

Kështu deklaron deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Bale, kryetare e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut.

“Unë nuk mund të shtihem si e verbër dhe të them se nuk ka, se nuk ekziston. Ekziston [komuniteti bullgar], po krijohet”, thotë Bale për Radion Evropa e Lirë.

Ajo pranon se në disa fshatra të Prizrenit, të banuara me shumicë boshnjake, ka disa studentë që studiojnë në universitetet në Bullgari.

Si shembull, ajo merr bisedën që ka zhvilluar me një nënë nga komuniteti boshnjak, e cila i ka tre fëmijët e saj duke studiuar në Bullgari.

Siç thotë Bale, ajo është përpjekur ta kuptonte se si janë deklaruar ata në regjistrimin e popullsisë.

“Më tha: ‘Të lutem mos më ngacmo. Unë jam ajo që dua të jem’. Sipas Kushtetutës [së Kosovës], ata mund të deklarohen ashtu siç dëshirojnë. A më pëlqen ose jo kjo mua, është krejtësisht diçka tjetër”, citon Bale.

Edhe ajo thotë se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do ta zbardhin numrin e saktë të të deklaruarve si bullgarë.

Po ashtu, kujton se në shkurt të vitit të kaluar, Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, të cilin e drejton ajo, ka marrë një kërkesë me 560 nënshkrime të qytetarëve për pranimin e komunitetit bullgar në Kosovë.

Ajo nuk sqaron se nga kush është organizuar dhe dorëzuar kërkesa me nënshkrimet e qytetarëve, por thotë se komisioni e ka konsideruar si të pabazuar, për shkak se, sipas saj, nuk janë gjetur fakte historike të ekzistencës së mëhershme të këtij komuniteti në Kosovë.

Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk mund të japin të dhëna zyrtare për numrin e qytetarëve që janë deklaruar si bullgarë.

Sipas ASK-së, të dhënat preliminare për indikatorët më të rëndësishëm do të publikohen më 12 korrik.

Heshtja e institucioneve

Pranimi i komunitetit bullgar në Kosovë është kërkesë e Bullgarisë për autoritetet e Kosovës tash e disa vite.

Atë e kanë bërë disa herë autoritetet e larta bullgare, përfshirë presidentin Rumen Radev dhe zëvendëspresidenten Iliana Iotova.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua institucioneve të larta të Kosovës, përfshirë Presidencën, Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, me pyetjet se cili është qëndrimi i tyre lidhur me ekzistencën e komunitetit bullgar në Kosovë dhe a e kanë shqyrtuar kërkesën e palës bullgare. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, asnjë nga këto institucione nuk u përgjigj.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se autoritetet e Kosovës e kanë për obligim që të përgjigjen lidhur me kërkesën e autoriteteve të Bullgarisë për pranimin e pakicës bullgare.

“Ne kemi heshtur edhe për çështje të tjera në të kaluarën, por në një stad të mëvonshëm, pastaj, kemi thënë ‘jo, kjo rrugë qenka gabim’ dhe jemi kthyer tërësisht”, thotë Hoti.

Sipas tij, pala e Kosovës duhet t’i matë dhe drejtpeshojë interesat e vendit.

Ai shpjegon se Kosova e ka bazën ligjore për pranimin e komuniteteve pakicë, por në momentin që ndodh pranimi, shteti merr mbi vete që komunitetit përkatës t’ia ofrojë zhvillimin e përgjithshëm dhe normal, duke i njohur gjuhën, kulturën, komunikimin, doket, të cilat janë specifike.

“Normalisht, kjo ka kosto financiare. Prandaj, shtetet provojnë t’u shmangen detyrimeve të tilla. Por, deri në çfarë mase mund të bëhet kjo shmangie, varet nga drejtpeshimi i forcave, varet nga nevoja që shteti, ndaj të cilit adresohet kërkesa, do të ketë për shtetet e tjera gjatë zhvillimit të vet”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se në rastin konkret, Bullgaria, ndryshe nga Kosova, është pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, sipas Hotit, Bullgaria mund t’i përdorë potencialet e veta që t’ia imponojë Kosovës kërkesën e saj për pranimin e pakicës bullgare, duke e kushtëzuar atë me hapat e mëtejmë për integrim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, përkatësisht pyetjes se a kanë marrë ndonjë reagim nga autoritetet e Kosovës, nuk iu përgjigjën as Presidenca e Bullgarisë dhe Ministria e Jashtme e këtij vendi.

Por, më 6 qershor të këtij viti, në takimin që kishte zëvendësministri i Jashtëm bullgar, Ivan Kondov, me ambasadorin e Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari, u fol për “rëndësinë e komunitetit bullgar në Kosovë”.

Në një postim në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë lidhur me këtë takim, u tha se “u diskutuan edhe disa nga problemet e komunitetit bullgar dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre”.

Pas një takimi në dhjetor në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, u takuan në Sofje më 22 prill të këtij viti.

“Takimin e dytë brenda katër muajve, kryeministri Kurti e cilësoi si dëshmi të marrëdhënieve të mira, teksa theksoi rëndësinë e takimeve të tilla të shpeshta për marrëdhëniet dypalëshe”, u tha në njoftimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatën e Zyrës së Radevit u tha, mes tjerash, se presidenti bullgar “e përshëndeti angazhimin e autoriteteve të Kosovës për t’i dhënë status komunitetit bullgar në Kosovë”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të ligjësohen mekanizmat që u mundësojnë qytetarëve të Kosovës me vetëdije bullgare ta ruajnë dhe shprehin identitetin e tyre, si dhe t’i ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre civile”, tha Zyra e Radevit.

Në komunikatën e Zyrës së Kurtit nuk u përmendën bisedimet për statusin e komunitetit bullgar në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë në dhjetor, Radev tha në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se ia ka përsëritur homologes kosovare kërkesën për pranimin e komunitetit bullgar dhe përfshirjen e tij në përfaqësim në Këshillin Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Presidentja Osmani e siguroi Radevin se gjatë procesit të regjistrimit në Kosovë, secili qytetar do ta ketë mundësinë të deklarohet lirshëm “për atë që është” dhe për “komunitetin që i takon”.

Kërkesën për pranimin e komunitetit bullgar ia shtroi presidentes Osmani edhe zëvendëspresidentja bullgare, Iliana Iotova, në një takim në Prishtinë, në shkurt të vitit të kaluar.

Në një postim në ueb-faqen zyrtare të Presidentit të Bullgarisë, më 17 shkurt, 2023, u tha se në takim, mes tjerash, u diskutua edhe për “njohjen e qytetarëve të Kosovës me identitet dhe vetëdije bullgare si komunitet bullgar me të drejta të garantuara”.

“Që nga vizita e presidentes Osmani në Bullgari [në nëntor të vitit 2022], me ftesë të kreut të shtetit, Rumen Radev, kanë filluar hapat e parë realë drejt njohjes së komunitetit bullgar”, thuhej në postim.

Ka apo jo komunitet bullgar?

Historiani Bujar Dugolli dhe antropologu Tahir Latifi, që të dy profesorë në departamentet e fushave përkatëse në Universitetin e Prishtinës, thonë se nuk ekzistojnë të dhëna të dokumentuara historike dhe antropologjike që vërtetojnë se në Kosovë ka pasur ose ka komunitet të organizuar bullgar.

Dugolli, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë se në Kosovë mund të ketë individë që janë bullgarë etnikë ose deklarohen si të tillë.

“Në periudhën e historisë moderne dhe bashkëkohore nuk ka evidenca se ka komunitet bullgar, kur bëhet fjalë për konceptin e një pakice minoritare”, thotë historiani për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ka edhe antropologu Latifi. Sipas tij, hulumtimet shkencore nuk flasin për prani të komunitetit bullgar në Kosovë – së paku që nga gjysma e shekullit të kaluar.

“As gjatë Jugosllavisë socialiste nuk ka pasur komunitet bullgar, sipas regjistrimeve të popullsisë. As tash nuk ka… Deri tash nuk ka, por, në të ardhmen, ne nuk mund ta dimë se si duan të deklarohen njerëzit”, thotë Latifi.

Kush janë “nashinci”?

Por, kush janë personat që thuhet se e ndërlidhin identitetin e tyre me atë bullgar?

Deputetja Bale thotë se në kuadër të komunitetit boshnjak dhe atij goran, në zona të ndryshme në Prizren dhe Dragash, banorët vendas flasin një gjuhë më specifike, që njihet si “nashki”.

Ish-politikani nga zona e Gorës në Dragash, Sadik Idrizi, profesor në Universitetin e Prizrenit, thotë se kjo është një gjuhë lokale, e cila ka për bazë sllavishten e vjetër dhe arkaike, por që ka mbetur e izoluar dhe nuk ka pasuar transformime moderne.

Në kuptimin e ngushtë, fjala “nashki” në gjuhën shqipe do të thotë “e jona” apo “gjuha jonë”.

“Ata njerëz e quajnë gjuhën e tyre ‘nashki’ ose ‘nashinski’, për të krijuar distancën dhe për të treguar se kjo gjuhë nuk i përket dikujt tjetër”, thotë Idrizi për Radion Evropa e Lirë.

Ademi thotë se personat që e flasin këtë gjuhë, e quajnë veten “nashinci” apo “tanët” dhe se studentët që kanë shkuar të studiojnë në Bullgari, e flasin këtë gjuhë.

“Tash për tash, ‘nashinci’ janë në Bullgari. Për ju nuk është i njohur termi ‘nashinci’, por ata ekzistojnë”, thotë Ademi.

Droja nga asimilimi

Rasim Demiri, lider i koalicionit boshnjak, Vakat, i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bullgaria është e interesuar që, përmes individëve të caktuar të komunitetit boshnjak, ta imponojë kinse ekzistencën e personave që dëshirojnë të deklarohen si bullgarë.

Demiri thotë se Bullgaria po e bën këtë përmes studentëve boshnjakë që studiojnë në Bullgari dhe familjeve të tyre.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në Prizren, ku tha se u takua me përfaqësues të komunitetit bullgar, si dhe me shoqatat e tyre. Në takim kanë marrë pjesë banorë të zonave Gorë, Zhupë dhe Podgorë, 23 dhjetor 2023
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në Prizren, ku tha se u takua me përfaqësues të komunitetit bullgar, si dhe me shoqatat e tyre. Në takim kanë marrë pjesë banorë të zonave Gorë, Zhupë dhe Podgorë, 23 dhjetor 2023
Sipas tij, në këtë funksion ishin edhe takimet që zyrtarët e lartë bullgarë zhvilluan me studentë të tillë dhe familjarë të tyre, gjatë vizitave në Kosovë.

“Ne jemi tërësisht kundër tentimit që përmes komunitetit boshnjak, të krijohet një komunitet bullgar”, thotë Demiri.

Ai rikujton vizitat në Kosovë të zëvendëspresidentes bullgare, Iliana Iotova, dhe të presidentit bullgar, Rumen Radev – në shkurt, përkatësisht dhjetor të vitit të kaluar – duke thënë se ata janë takuar me këta studentë dhe familjarë të tyre për këtë qëllim.

Takimi i zyrtarëve të lartë të Bullgarisë me “përfaqësues të komunitetit bullgar” në Kosovë ishte konfirmuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Presidentit të Bullgarisë.

Por, Bale nuk fajëson Bullgarinë për stimulimin e individëve të caktuar, të cilitdo komunitet, që të deklarohen si bullgarë.

Ajo thotë se Bullgaria vetëm “po shfrytëzon fuqinë, mundësinë dhe individët që i ka në dispozicion”.

Por, sipas saj, ekziston droja se individët nga komuniteti boshnjak, që janë deklaruar ose mund të deklarohen si bullgarë, po shkojnë drejt asimilimit ose “bullgarizimit” .

“Mendoj se, realisht, ky proces është aktiv. Por, çfarë mund të bëj unë, përveçse t’u sqaroj atyre njerëzve se sa është e rëndësishme që të jesh ashtu siç kanë qenë të parët e tyre”, thotë Bale.

Bullgarët në rajon

Kërkesa e Bullgarisë për njohjen e komunitetit bullgar nuk i është drejtuar vetëm Kosovës.

Kërkesë e tillë i është bërë edhe Shqipërisë, e cila në vitin 2017 e ka njohur ligjërisht pakicën kombëtare bullgare, kurse në regjistrimin e popullsisë më 2023, për herë të parë, në të dhënat për minoritetet është përfshirë edhe komuniteti bullgar.

Sipas statistikave të publikuara më 28 qershor, 7.057 persona në Shqipëri janë vetëdeklaruar se etnia e tyre është bullgare.

Ndërkaq, është shënuar rënie e numrit të shtetasve me etni maqedonase – nga 5.512 sa kanë qenë në vitin 2011, në 2.281.

Kjo gjë nxiti reagimin e kryetarit të Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian, Vasil Steriovski, i cili tha se Bullgaria po u ofron pasaporta maqedonasve të Shqipërisë, në këmbim të deklarimit si bullgarë.

Pas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov, tha se është i kënaqur nga rezultatet e tij dhe falënderoi Qeverinë shqiptare që “krijoi kushte të harmonishme për ta realizuar këtë proces, ku njerëzit ishin të lirë ta merrnin vendimin e tyre”.

“Nëse Qeveria shqiptare nuk do t’i krijonte këto kushte që banorët me origjinë bullgare ta shprehnin lirshëm verdiktin e tyre, nuk do t’i kishim këto shifra që i kemi sot”, tha ai.

Po në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, me synimin për t’i kapërcyer dallimet për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Por, Sofja filloi ta bllokonte integrimin evropian të Shkupit zyrtar në vitin 2020, së pari duke insistuar në temat që lidheshin me historinë dhe gjuhën.

Më vonë, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, filloi të këmbëngulte gjithnjë e më shumë në të drejtat e bullgarëve maqedonas.

Në prani të autoriteteve bullgare u hapën dy klube bullgare në Manastir dhe Ohër të Maqedonisë së Veriut – gjë që shkaktoi tensione mes dy vendeve.

Për ta tejkaluar mosmarrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bashkimi Evropian ofroi të ashtuquajturin “propozim francez”, i cili u pranua nga autoritetet në të dyja vendet.

Më pas, më 19 korrik, 2022, Maqedonia e Veriut filloi formalisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, negociatat sipas kapitujve do të fillojnë kur bullgarët, në mesin e komuniteteve të tjera, të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse filloi një seancë parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës, akti më i lartë ligjor nuk ndryshoi deri më tani për t’i përfshirë edhe bullgarët në të.

Dy të tretat e 120 deputetëve duhej të votonin për amendamentet kushtetuese, por VMRO-DPMNE – në atë kohë partia më e madhe opozitare – kundërshtoi.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se në Kuvendin e këtij vendi nuk do të votohet për ndryshimet në Kushtetutë dhe kërkoi negociata të reja me Bullgarinë për ndryshime në kornizën negociuese.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ato marrëveshje kanë përfunduar dhe se nuk ka negociata të reja.

Në Serbi, pakicën bullgare, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, e përbëjnë rreth 13 mijë të deklaruar si bullgarë.

Bullgaria ka kërkuar edhe nga Serbia trajtim më të mirë të kësaj pakice. /REL

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit