Zhvillimi ekonomik dhe realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore kërkojnë qasje serioze dhe vendimmarrje strategjike, ka deklaruar kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, gjatë një vizite në Gjilan.
Ai ka kritikuar mungesën e vëmendjes së nivelit qendror ndaj këtij qyteti me potencial të lartë ekonomik, duke përmendur në veçanti ngecjen e projektit të autostradës së Gjilanit, e cila sipas tij ishte nisur si prioritet gjatë mandatit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, por që ka mbetur e papërfunduar.
“Është fatkeqësi të shohësh një qytet me kaq shumë potencial që nuk e ka vëmendjen e nivelit qendror,” është shprehur Gjini.
Gjatë vizitës në Gjilan, Gjini ka zhvilluar takime me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve lokale, ku është diskutuar për sfidat ekonomike dhe nevojën për investime më të mëdha në infrastrukturë dhe zhvillim lokal.






