Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka folur për gjendjen e mishit të pulës, pas skandalit në Shqipëri ku u gjetën rreth 8 ton mish pule i kontaminuar në salmonelë.
Thaçi tha se kanë marrë veprimet e nevojshme për t’i hequr të gjitha dyshimet dhe që të mbahet i qetë konsumatori në produktet që i konsumon.
“Në linjën e kësaj, e kemi marrë veprimin e parë të masës së shtuar të kontrollit për të gjitha ngarkesat që vijnë nga Brazili të produkteve ‘mish i pulës’”.
“E po ashtu edhe në tregun e brendshëm kemi vendosur që t’i nxjerrim inspektorët në terren që të kryejnë kontrolle dhe të marrin mostra për testime laboratorike pikërisht në parametrat e salmonelës dhe pasi këto rezultate të dalin, këto do t’i komunikojmë sa ta kemi rezultatin analitik”, tha Thaçi në Edicionin Special në Klan Kosova.
Ai u shpreh se deri në këto momente, produktet e mishit të pulës në tregun e Kosovës janë të sigurta, teksa shtoi se nuk ka pasur asnjë rieksporto nga Shqipëria në Kosovë, por tha se njëri brend që është përmendur në skandalin në Shqipëri, tregtohet edhe në Kosovë.
Deri në këto momente që po flasim, s’kemi asnjë fakt të pakontestueshëm që ngre dyshime të mirë-“përcaktuara, andaj deri më tani mund të themi se produktet që janë në treg janë të sigurta”.
“Kemi kontaktuar edhe me autoritetet shqiptare të cilët na kanë dërguar një konfirmim se në ngarkesat të cilat eventualisht mund të ketë dyshime, nuk ka pasur asnjë rieksport nga Shqipëria në Kosovë, kështu që ngarkesat tona janë të ndara me ato të Shqipërisë, por edhe këto që janë në Kosovë do të testohen dhe verifikohen”.
“Njëri brend që është përmendur aty, tregtohet edhe në Kosovë por edhe në shumë vende të botës. Qytetarët dhe konsumatorët e dinë një fakt që Brazili është vendi numër një në botë i eksportit të mishit të pulës”, tha ai.