Murati para seancës: Problemi nuk është te konstituimi, por te presidenti, opozita nuk ka vullnet për zhbllokim

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ngërçi aktual politik nuk ka të bëjë me vetë procesin e konstituimit, por me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ai ka zbuluar se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndonëse sipas tij, ajo nuk gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë deputetëve të kësaj partie.

Duke e lidhur situatën aktuale me krizat e kaluara institucionale, Murati theksoi nevojën për një dakordim paraprak për të shmangur zgjedhjet e parakohshme:

“Presim që Seanca e Kuvendit të sotëm po përmbyllet, pra po përmbyllet me sukses. Problemi, siç e dini, sot nuk ka qenë tek seanca e konstituimit. Problemi ka qenë tek çështja e presidentit, gjë e cila herën e kaluar, pra mandatin e kaluar, na dërgoi në zgjedhje. Në vullnet, pra për të zgjidhur këtë çështje, ne jemi munduar dhe kemi konsideruar që është e nevojshme që para konstituimit të ketë një marrëveshje. Tashmë e kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithëse jo e plotë nga ana e grupit të tyre parlamentar, sepse siç edhe jeni dëshmitarë, pra ka deputetë të cilët janë deklaruar se jo domosdoshmërisht i qëndrojnë asaj marrëveshje”, u shpreh ai.

Më tej, ministri në detyrë theksoi obligimet që rrjedhin nga Gjykata Kushtetuese, sipas së cilës partitë propozuese duhet t’i sigurojnë vetë votat për kandidatët e Kryesisë. Ai i ka krahasuar veprimet e opozitës aktuale me kompromiset që, sipas tij, LVV i kishte bërë në të kaluarën për të zhbllokuar institucionet.

“Në kuadër të kësaj, ne kemi kërkuar që në pajtim me Kushtetutën dhe në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, e cila kërkon që për pozitat e kryesisë së Kuvendit, partitë politike, grupet parlamentare duhet të kenë dakordim politik. Pra, nëse ekziston privilegji apo e drejta për të propozuar dikë për anëtarë të kryesisë, ekziston edhe obligimi i partisë përkatëse që t’i sigurojë votat. Besoj ju kujtohet siç na tregohej apo na thuhej neve gjatë mandatit të vitit 2025, kur nevojiteshin votat për kryetaren e Kuvendit, zonjën Albulena Haxhiu. Të njëjtin parim jemi munduar me e zbatuar kësaj radhe, e patë që partitë politike PDK dhe LDK jo domosdo ishin të interesuar të ndryshonin kandidatët sikurse ne që kishim bërë. Ne ishim të gatshëm për hir të zhbllokimit të situatës vitin e kaluar të ndryshonim kandidatët madje disa herë, ndërkaq kësaj radhe e patë që partitë e tjera nuk e kanë të njëjtin vullnet sikurse Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit