Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një komunikate për media ka reaguar pas shtyrjes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale.
Kjo organizatë konsideron se shtyrja e vendimit për ish udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, është një tjetër goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore njerëzore.
“Gati gjashtë vjet paraburgim pa një vendim përfundimtar nuk është procedurë. Është dënim pa aktgjykim. Asnjë gjykatë e financuar në emër të demokracisë nuk mund të normalizojë një trajtim të tillë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e të cilëve i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se vonesa thellon një padrejtësi të papranueshme dhe gërryen besueshmërinë e çdo institucioni që pretendon se mbron sundimin e ligjit.
“Dinjiteti i të akuzuarve, i familjeve të tyre dhe i popullit të cilit i shërbyen, nuk mund të mbahet peng i shtyrjeve të pafundme.”, thuhet tutje.
Sipas OVL të UÇK-së, kërkohet që shtetet demokratike që financojnë dhe mbështesin këtë gjykatë të veprojnë menjëherë.
“Nuk duhet të lejojnë shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të atyre burrave që vendin nuk e kanë atje, por pranë familjeve dhe popullit të tyre.”, përfundon komunikata.






