19.6 C
New York
Monday, November 23, 2026

Buy now

Nëntë të akuzuar për mashtrim përmes Call Center-it, dyshohet se dëmtuan shtetas të huaj për 1.9 milionë euro

- Advertisement -

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë fjalët hyrëse në gjykimin ndaj nëntë personave të akuzuar për mashtrim përmes Call Center, ku dyshohet se janë dëmtuar shtetas të huaj në vlerë prej 1 milion e 900 mijë eurosh.

Prokurorja speciale deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmes provave materiale dhe dëshmive, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit do të tregojnë se si janë kontaktuar nga të akuzuarit, pasi kishin investuar në platforma të ndryshme, dhe si më pas u ishin kërkuar para shtesë me arsyetimin se duheshin paguar tarifa, tatime dhe detyrime të tjera për kthimin e investimeve.

Përfaqësuesi i të dëmtuarve, tha se përveç mjeteve të investuara në platforma, viktimat kishin transferuar edhe 940 mijë euro në llogaritë e të akuzuarve, me shpresën se do t’i merrnin paratë e tyre.

Ai kërkoi që kjo shumë t’u kthehet të dëmtuarve me vendimin përfundimtar, pa pasur nevojë për procedurë civile, duke marrë parasysh edhe moshën e tyre.

Ndërkohë, mbrojtësit e të akuzuarve i kundërshtuan pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për përgjegjësinë penale individuale të klientëve të tyre.

Avokati i Naser Smajlit deklaroi se rasti ka të bëjë me një marrëdhënie civile dhe jo me mashtrim, ndërsa pretendoi se klienti i tij kishte nisur ta kthente borxhin ndaj të dëmtuarve.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Enuarta Smajlit, tha se aktakuza nuk përshkruan veprime konkrete që mund t’i atribuohen të mbrojturës së tij, duke shtuar se ajo nuk flet gjermanisht.

Edhe mbrojtësit e Dalip Beqirit, Arbenita Jetullahut-Beqirit dhe Blerim Qerimit kundërshtuan përfshirjen e klientëve të tyre në veprën penale.

Ata argumentuan se transaksionet bankare, marrëdhëniet me personat e tjerë apo përdorimi i llogarive bankare nuk janë vetvetiu prova të mjaftueshme për mashtrim.

Mbrojtësi i Venera Mehmetit kundërshtoi administrimin e disa provave, duke pretenduar se nuk i janë dorëzuar të gjitha shkresat e lëndës dhe se nuk ka pasur mundësi t’u parashtrojë pyetje dëshmitarëve të dëmtuar.

Ndërkaq, e akuzuara Venera Mehmeti deklaroi se nuk e kishte kuptuar aktakuzën, edhe pas sqarimeve të dhëna nga Prokuroria.

Seanca e radhës pritet të mbahet në shkurt të vitit 2027, kur parashihet të vazhdojë me dëgjimin e të dëmtuarve, të cilët kishin udhëtuar nga Zvicra, por nuk ishin të gatshëm të dëshmonin në seancën e së hënës.

Sipas aktakuzës, të ngritur më 29 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale, nëntë të akuzuarit, dyshohet se nga një periudhë e pacaktuar deri në shkurt të vitit 2024, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë mashtruar shtetas të huaj, përfshirë austriakë dhe zviceranë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Të ngjashme

Të fundit