Rama lajmërohet nga Amerika, e quan lajm të madh për Kosovën

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nesër do ta prezantojë kryeqytetin e Kosovës në ngjarjen ndërkombëtare për inteligjencën artificiale dhe inovacionin, Expo AI 2026, që mbahet në Washington, D.C..

Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se pjesëmarrja e Prishtinës në këtë aktivitet nuk është vetëm protokollare, por një dëshmi se Kosova po bëhet pjesë e zhvillimeve globale në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

“Kjo është një dëshmi politike, kombëtare dhe historike se Kosova po zë vend aty ku ndërtohet e ardhmja e botës”, ka shkruar Rama.

Ai tha se për dekada Kosova është parë kryesisht përmes luftës dhe krizave, ndërsa tani po prezantohet ndryshe para botës.

“Nesër, para botës, Prishtina prezantohet si qytet i rinisë, si qendër e inovacionit dhe si simbol i një shteti që nuk u dorëzua kurrë dhe që sot kërkon vendin e vet në epokën e inteligjencës artificiale”, theksoi ai.

Rama e cilësoi këtë prezantim si “politikë të dinjitetit, përfaqësimit dhe afirmimit ndërkombëtar”, duke shtuar se është edhe përgjigje ndaj përpjekjeve për ta mbajtur Kosovën jashtë tavolinave ndërkombëtare.

“Washingtoni nesër nuk do të dëgjojë vetëm për një kryeqytet. Do të dëgjojë për një popull që nga rezistenca arriti te inovacioni”, shkroi Rama.

Ai tha se Kosova po kalon “nga mbijetesa te përfaqësimi global” dhe nga “historia e dhimbshme te ambicia për të qenë pjesë e botës së së ardhmes”.

 

 

Të ngjashme

Të fundit