Jason Steinbaum, ekspert amerikan, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shqyrtojë punën e Gjykatës Speciale.
Në një intervistë dhënë së fundi, ai ka ngritur disa pikëpyetje, mes tyre edhe atë për serbët që mund të ndiqen penalisht prej saj.
“Do të doja që Kuvendi i Kosovës të organizonte një seancë për shqyrtimin e punës së gjykatës. CIlët janë këta njerëz? Përbërja? Kush e financoi, sa ishte kostoja, kush punon?. Dhe më e rëndësishmja, si i interpreton kjo gjykatë ligjet që thonë apo që duket se thonë se serbët mund të ndiqen penalisht prej saj. Dhe nëse po, pse nuk ka pasur serbë të akuzuar dhe të gjykuar në këtë gjykatë, duke marrë parasysh se shumica dërrmuese e krimeve të luftës gjatë atij konflikti janë kryer nga Beogradi?”, ka thënë ai.
Më herët, gjatë ditës për këtë çështje foli edhe ish-ambasadori amerikan, Christopher Hill.
“Jeni duke pyetur një diplomat për një pyetje ligjore dhe do ju kërkoja që të flisni më mirë me një jurist të çështjeve të të drejtës ndërkombëtare. Përgjigjja ime është: Nuk e di, vërtet nuk e di. Ajo çka unë di, është nevoja për avokatët e palës mbrojtëse, që të planifikojnë hapat e tyre të radhës” ka thënë Hill.
Ai ka shtuar se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje për situatën, duke theksuar se ajo duhet të jetë në përputhje me faktet dhe me drejtësinë.
“Unë di po ashtu se duhet të kemi një zgjidhje të kësaj situate, të cilën do e shikojmë si drejtësia, e cila do jetë në përputhje me faktet.
Shpresoj se kjo të ecë përpara në mënyrë pozitive dhe ashtu si njerëz të tjerë edhe unë jam shumë i zhgënjyer me vendimin e marrë nga Gjykata Speciale vitet e fundit.”, ka shtuar ai.






