Shqipëria siguron hua prej 302 milionë dollarësh nga ShBA-ja për modernizimin e mbrojtjes

- Advertisement -

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar në parim një marrëveshje huaje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerë prej 302 milionë dollarësh, e cila do të shfrytëzohet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimin e sektorit ushtarak.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili ka dhënë dritën e gjelbër për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe Agjencisë Amerikane të Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA).

Huaja do të realizohet në kuadër të programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), një mekanizëm përmes të cilit Shtetet e Bashkuara mbështesin aleatët dhe partnerët në avancimin e kapaciteteve të tyre të sigurisë dhe mbrojtjes.

Sipas vendimit të qeverisë shqiptare, fondet do të përdoren për projekte dhe programe që lidhen me modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të vendit.

“Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë”, thuhet në vendim.

Të ngjashme

Të fundit