Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Scanner.
Sipas Haxhiut, kërkesa bazohet në gjetjet e procesit të rinumërimit të realizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku nga rinumërimi i 185 vendvotimeve janë evidentuar gabime në numërimin fillestar. Ai theksoi se në këtë proces i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin regjistruar më parë, ndërsa diferenca mes kandidatëve është vetëm 102 vota.
Haxhiu vlerësoi se çdo votë ka peshë dhe se vetëm një verifikim i plotë i të gjitha votave mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve. Ai kërkoi nga PZAP që ankesa të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e çdo vote.
Në reagimin e tij, Haxhiu tha se saktësia e rezultatit zgjedhor është më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të tij, duke shtuar se edhe në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025 kishte identifikuar dhe denoncuar parregullsi, ndaj ka kërkuar që edhe ky proces të verifikohet në tërësi.
Postimi i plotë:
Sot kam paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo kërkesë nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin, por në fakte të konfirmuara nga vetë procesi i rinumërimit të zhvilluar nga KQZ.
Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm. Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë.
Besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Pres që PZAP-i ta shqyrtojë këtë ankesë në mënyrë të paanshme dhe të marrë një vendim që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e çdo vote.
Me e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij më 7 qershor 2026.
Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor ku unë kam identifikuar dhe paraqitur me fakte manipulimin e procesit zgjedhor me 28 dhjetor 2025, edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP.






