28 C
New York
Friday, July 19, 2024

Buy now

Server: Ardhja në pushtet e Trumpit do ta riaktualizonte ndarjen e Kosovës

- Advertisement -

Daniel Server, profesor në Universitetin Johns Hopkins, njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka folur në mënyrë të veçantë për gjendjen në të cilën ndodhet tani dialogu Kosovë-Serbi, që, sipas tij, ka ngecur dhe që nuk ka pasur ndonjë sukses të madh.

Arsyeja e mossuksesit të dialogut, sipas tij, është mungesa e gatishmërisë nga të dyja palët.

“Sipas vështrimit tim, qëllimi i dialogut, normalizimi politik është që ne në anglisht e quajmë një ‘urë tejet të largët’. As Beogradi e as Prishtina, më duket  mua, nuk janë të gatshëm për normalizimin politik”, tha Server, derisa shtoi se Beogradi e ka bërë këtë shumë të qartë, bile edhe me shkrim nga kryeministrja e asaj kohe e Serbisë.

Gjithashtu, shtoi Server, edhe Prishtina e ka bërë të qartë se njerëzit këtu duan të dëgjojnë kërkim-falje nga Serbia për atë që ka bërë regjimi i Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

“Njerëzit në Prishtinë duan njohjen dhe vlerësimin e keqtrajtimeve dhe një lloj kompensimit të një natyre simbolike”, nënvizoi Server për RTK-në.

Sa i përket qasjes ndaj dialogut nga kryeministri Kurti, Server tha se kryeministri nuk kishte vullnetin ta bënte atë që kanë kërkuar amerikanët dhe evropianët, që është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se evropianët dhe amerikanët e kanë pasur gabim që të presin që kjo të ndodhë pa pasur atë që quajmë- përgjigje reciproke”, tha Server, teksa shtoi se në marrëveshjen e 2013-ës është rënë dakord që Kosova të themelojë Asociacionin, derisa serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, por,që, vuri në dukje ai, Serbia të mos e pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

“Të pritet nga Kosova që në mënyrë të njëanshme të bëjë diçka që të mund të kërkohej nga Serbia, pa i dhënë asgjë Kosovës, besoj se ka qenë gabim i madh diplomatik”, tha Server.

Ai shtoi se nuk është e arsyeshme që të kërkohet nga kryeministri Kurti të bëjë diçka, derisa  Serbisë nuk i kërkohet asgjë.

Server tha më tej se diplomatët amerikanë kanë qenë të zemëruar me kryeministrin Kurti për mosgatishmërinë e themelimit të Asociacionit, ndërkohë që, shtoi ai, ata do të duhej ta dinin se normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë është një urë tejet e largët.

Duke folur për disponimin amerikan në raport me dialogun, Server tha se ata e kanë marrë anën e Beogradit për këtë çështje, duke u përpjekur që administrata e Biden-it ta përafrojnë atë me Perëndimin, që deri tani, vuri në pah Server, nuk ka pasur fare sukses.

Server tha se nuk ka pasur qasje simetrike nga SHBA-ja në raport mes Kosovës e Serbisë.

Lidhur me Asociacionin, Server tha se vetëm njohja formale do ta bënte plotësisht të vlefshme edhe në veri edhe në jug  të lumit Ibër.

Ndërkaq për draftin e Asociacionit të përpiluar nga BE, i mbështetur edhe nga SHBA-ja, Server tha se çdo gjë varet nga implementimi, jo aq nga fjalët që thuhen në dokument.

“Do të duhej të vendosej një garanci nga evropianët dhe amerikanët që Kushtetuta e Kosovës të vlente dhe të zbatohej dhe të qartësohet nëse Kushtetuta e Kosovës rezistohet nga serbët”, tha ai.

Server tha se përpjekja e administratës Biden është për ta përafruar Serbinë drejt Perëndimit ka qenë gabim. “Do të duhej të rivendosin një qasje shumë më të ashpër ndaj Beogradit”, shtoi ai.

Duke folur për mundësinë e ardhjes në pushtet e administratës Trump, Server tha se do të shkaktohej krizë në Ballkanin Perëndimor, sepse, sipas tij, do të sillte krizë në Ballkanin Perëndimor.

“Administrata Trump do të sillte krizë në Ballkanin Perëndimor, sepse ka etnonacionalistë dhe e dimë mirë nga ish-administrata Trump që ajo që kanë dashur të bëjnë në Kosovë, ka qenë ndarja. Kanë dashur që ta ndajnë Kosovën”, tha Server, teksa u shpreh skeptik nëse do të ndahej edhe Serbia, që Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës.

“Çfarëdo lloj lëvizjeje e kufijve në Ballkan, me të gjitha këto diferenca, do të shkaktonte destabilizimi madhor”, tha Server, derisa shtoi se e njëjta gjë do të provohej edhe në Bosnjë e Hercegovinë, pastaj në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi.

Ai tha se Grenelli ka bërë të qartë se do ta bëjë të njëjtën veprim sikurse më përpara, nëse vendoset në pozitën që ka qenë.

Server skeptik për finalen e dialogut pa përfshirjen drejtpërdrejtë të SHBA-së

“Nuk mendoj se Kosova mund të presë ndonjë përkrahje më të madhe nga administrata Trump, sesa nga administrata e Biden-it. E kundërta….Bile mund të shohim një zhvendosje edhe më afër Beogradit nga administrata e Trump-it”, tha Server.

Ai shtoi se mund të jetë kaotike situata në Ballkanin Perëndimor, në Lindjen e Mesme, por edhe në Ukrainë, në Azi, me Tajvanin, etj., “dhe Ballkani Perëndimor në këtë mjedis do të jetë lëmsh i rëndë”, nënvizoi Server.

Tutje, lidhur me arritjen e një marrëveshjeje finale të dialogut Kosovë-Serbi pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, Server u shpreh skeptik.

“SHBA e BE duhet ta ndërmjetësojnë këtë proces, por, po ashtu, nuk besoj se do të ketë njohje shumë të shpejtë për Kosovën”, tha Server.

Ai shtoi se fokusi duhet të jetë në çështjet praktike, sikundër janë bartja e fondeve serbe të popullatës serbe në veri, që duhet të ketë transparencë në këtë çështje; “të ndërpritet presioni i institucioneve të Serbisë ndaj serbëve të Kosovës duke penguar përfshirjen e serbëve lokalë në institucionet e Kosovës, vetëm kështu mund të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Server.

Ndërkaq për të arritur një marrëveshje reale midis Kosovës e Serbisë, Server thotë se duhet që të jetë një Serbi tjetër, e cila do të ishte e përkushtuar ndaj demokracisë, duke pranuar gabimet e së kaluarës.  /RTK/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit