Selmanaj: Askush nuk është mbi Republikën

- Advertisement -

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Selmanaj ka theksuar se asnjë individ, përfshirë kryeministrin, nuk mund të jetë mbi Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Askush nuk është mbi Republikën!”, ka shkruar Selmanaj në reagimin e tij.

Ai ka deklaruar se Kurti mund ta ketë pushtetin dhe shumicën parlamentare, por sipas tij, kjo nuk nënkupton se Kosova është në pronësi të tij.

“Albin Kurti mund të ketë pushtetin. Mund të ketë shumicën në Parlament. Por Kosovën nuk e ka në pronësi. Nuk është mbi Kushtetutën. Nuk është mbi Policinë. Nuk është mbi Ushtrinë. Nuk është mbi Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Nuk është mbi institucionet e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Selmanaj.

Sipas tij, në një demokraci funksionale, pushteti duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe jo e kundërta.

“Kushtetuta është mbi kryeministrin dhe Qeverinë. Institucionet e shtetit janë mbi partitë politike. Republika është mbi çdo individ”, ka theksuar ai.

Selmanaj ka përfunduar reagimin duke nënvizuar se Kosova është republikë e qytetarëve të saj dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi institucionet dhe rendin kushtetues të vendit.

“Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit. Kosova nuk është pronë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kosova është Republikë e qytetarëve të saj. Dhe mbi Republikën e Kosovës nuk qëndron askush”, ka shkruar Selmanaj.

Të ngjashme

Të fundit