Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe ish-komandant i UÇK-së, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se ai e ka dëshiruar dhe ndihmuar Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një intervistë për Media 60, Lushtaku ka thënë se Vetëvendosje ka përfituar politikisht nga burgosja e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Unë mendoj që Albin Kurti e ka ndihmu dhe dëshiru Gjykatën Speciale, sepse gjithmonë e ka pasur frikë Hashim Thaçin, Kadri Veselin. Ai e ka thënë edhe publikisht: ‘Shko Hashim në Hagë’”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka pretenduar se mungesa e ish-krerëve të UÇK-së në skenën politike i ka sjellë përfitime Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ka kritikuar edhe individë që, sipas tij, kanë mbështetur proceset kundër tyre.
Lushtaku ka përdorur edhe shprehjen “argatët e Serbisë”, duke pretenduar se persona të tillë veprojnë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ministren Donika Gërvalla.
Kritika ka pasur edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ndaj të cilit Lushtaku ka shprehur zhgënjim.
“Kam pasur konsideratë për Ramën, por sot e kam zero”, ka thënë ai.
Duke kritikuar emërimet në pozita të rëndësishme në Shqipëri, Lushtaku është shprehur:
“Vendosja e njerëzve që kanë çuar ujë te mulliri i Serbisë, nuk po e kuptoj zotin Rama”.
Ai ka kritikuar gjithashtu politikën e Albin Kurtit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar për përkeqësimin e marrëdhënieve me këto shtete.
Përtej zhvillimeve politike, Lushtaku ka rrëfyer edhe përvojat e tij nga lufta dhe kujtimet për bashkëluftëtarët e rënë.
Ai ka treguar se edhe sot viziton varret e tyre, ndonjëherë në orët e vona të natës.
“Shkoj në 3 të natës të vizitoj shokët e rënë në luftë”, ka rrëfyer ai.
“Lufta e UÇK-së nisi me 7-8 veta”, ka deklaruar Lushtaku, duke kujtuar fillimet e organizimit të luftës çlirimtare.
Në intervistë, ai është ndalur edhe te dhuna seksuale gjatë luftës, duke përmendur vlerësimin prej 20 mijë grave të dhunuara dhe duke kritikuar institucionet për mungesën e evidentimit të plotë të viktimave.






