Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar ditën e shpalljes së vendimit si të veçantë, ndërsa ka shprehur bindjen se ish-udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të shpallen të pafajshëm.
“Për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk është paraqitur publikisht “asnjë provë e vetme” që do t’i mbështeste akuzat ndaj të pandehurve.
Berisha u ka uruar ish-krerëve të Kosovës që të kthehen në vend “të pafajshëm siç janë, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës”.
Kreu i PD-së ka reaguar edhe ndaj deklarimeve për pasoja të mundshme për Kosovën në rast të një vendimi të pafavorshëm.
“Kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme”, është shprehur ai.
Berisha ka theksuar se Kosova nuk duhet të bartë përgjegjësi për pasojat e një vendimi gjyqësor, të cilin ai e konsideron të padrejtë.






