Deda apelon për qetësi para verdiktit në Hagë: S’ka nevojë për destabilizim në Kosovë

- Advertisement -

Konsulenti politik, Ilir Deda, ka bërë thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi te qytetarët e Kosovës në prag të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Deda ka thënë se dita e nesërme ka një rëndësi të veçantë për Kosovën, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos u besojnë spekulimeve lidhur me vendimin që pritet të merret nga Dhomat e Specializuara.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai ka theksuar se, pavarësisht rezultatit të procesit gjyqësor, nuk duhet të ketë tensione apo destabilizim në vend.

“Kisha apeluar te qytetarët e Kosovës që ta ruajnë gjakftohtësinë. Ne të gjithë shpresojmë dhe besojmë në një verdikt pozitiv. Nuk dihet cili është vendimi, ka shumë spekulime, por të mos u besojnë spekulimeve dhe të mos i dëgjojnë. Ta presim ditën e nesërme dhe të shohim çfarë po ndodhë, dhe të mos ketë kaq shumë shqetësim, sepse njerëzit janë të shqetësuar për vetë vendimin, çfarë do të thotë ai për Kosovën, por janë të shqetësuar edhe mos po ka ndonjë lloj destabilizimi tek ne brenda. Nuk ka nevojë të ketë destabilizim brenda Kosovës. Unë më shumë e kam këtë brengë që e kam parë te njerëzit këto dy ditë, që është për gjynah që nuk u është drejtuar askush për t’i qetësuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, qytetarët duhet ta dinë se shteti do të jetë pranë tyre, pavarësisht rezultatit të procesit në Hagë.

“Dita e nesërme e ka një peshë shumë të madhe për Kosovën. Unë besoj që po të kisha qenë udhëheqës i shtetit, do t’u isha drejtuar njerëzve me i qetësuar dhe me iu dhënë siguri që, pavarësisht pritjeve, besimit e shpresës për më të mirën, çkado që mundet me ndodhë, ne do ta tejkalojmë dhe do të triumfojmë në fund”, është shprehur ai.

Ndryshe, verdikti përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet të shpallet nesër, më 16 shtator nga ora 10:00, në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Të ngjashme

Të fundit