Rruga Drenas–Komoran në gjendje të rëndë, qytetarët ankohen për dëmtime të vazhdueshme të veturave

- Advertisement -

Gjendja e rrugës Drenas–Komoran vazhdon të mbetet shqetësuese për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që e frekuentojnë çdo ditë këtë segment, shkruan Scanner.

Gropat e shumta, dëmtimet në asfalt dhe mungesa e mirëmbajtjes kanë bërë që shumë automjete të pësojnë defekte të ndryshme, duke u shkaktuar qytetarëve shpenzime shtesë dhe rrezik në komunikacion.

Banorët dhe shoferët thonë se situata është përkeqësuar kohëve të fundit, sidomos pas reshjeve të shiut, kur dëmtimet në rrugë bëhen edhe më të vështira për t’u shmangur.

“Është bërë pothuajse e pamundur të kalosh pa e dëmtuar veturën. Çdo ditë po rrezikojmë,” është shprehur një qytetar që kalon rregullisht në këtë aks rrugor.

Përveç dëmeve materiale, qytetarët paralajmërojnë edhe për mundësinë e aksidenteve, pasi shumë shoferë detyrohen të devijojnë papritur për t’iu shmangur gropave në rrugë.

Ata kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse për sanimin e këtij segmenti, duke theksuar se neglizhenca po u kushton qytetarëve çdo ditë./Scanner/

Të ngjashme

Të fundit