Një incident i papritur është raportuar gjatë stërvitjes së klubit madrilen Real Madrid, ku dy nga lojtarët kryesorë, Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde, janë përfshirë në një konflikt të ashpër.
Sipas raportimeve të Marca, situata ka eskaluar ndjeshëm, duke arritur deri në prag të një përleshjeje fizike mes dy futbollistëve në fushë.
Tensionet nuk janë ndalur me kaq, pasi ato kanë vijuar edhe në dhomat e zhveshjes, duke krijuar një atmosferë të rënduar brenda ekipit.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se ndërhyrja e menjëhershme e stafit teknik dhe e bashkëlojtarëve ka qenë vendimtare për të parandaluar një incident më të rëndë. Ende nuk dihen shkaqet e sakta që çuan në këtë përplasje, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga klubi në orët në vijim.






