FIFA e ka publikuar sot renditjen më të re të Kombëtareve.
Kosova ka përparuar për dy pozita në renditjen e muajit shtator duke e parë veten në vendin e 104-t, dy pozita më lartë në krahasim me ranglistën paraprake.
Dardanët i kanë 1205,96 pikë, derisa në muajin e kaluar i kishin 1203,16 pikë, duke e parë veten përpara Namibisë dhe prapa Taxhikistanit.
Kosova në muajin shtator u mposht nga Rumania në shtëpi me rezultat 0:3, ndërsa më pas e mposhti Qipron me rezultat 4:0 në Ligën e Kombeve.
Ndërkaq, Kombëtarja shqiptare pësoi rënie në renditje.
Kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 67-të, një pozitë më poshtë në krahasim me muajin e kaluar.
Ata i kanë 1377,91 pikë, kurse në renditjen paraprake i kishin 1375,49 pikë.
Skuadra e Sylvinhos e mposhti Ukrainën si mysafire me rezultat 2:1, ndërsa më pas u mund nga Gjeorgjia në shtëpi, 0:1, po ashtu në Ligën e Kombeve.
Shqiponjat gjenden përpara Jordanisë dhe prapa Gjeorgjisë në renditje.
Renditja e ardhshme e FIFA-s do të zbulohet më 24 tetor, disa ditë pas ndeshjeve të tetorit në Ligën e Kombeve.